Angli, shtypi "kryqëzon" Fabio Kapelon
"Muaji i mjaltit" ka mbaruar. Duke u bazuar te gazetat e pamëshirshme në Angli, "The Sun", mbi të gjitha, Fabio Kapelo nuk është bërë ende "idioti me çadër", si paraardhësi i tij Stiv Meklaren, por është vetëm çështje kohe. Edhe pse të mërkurën në "Uemblli" ra shumë shi, Kapelo nuk kishte çadër, por e imitoi Meklarenin në drejtimin e kombëtares.
FANTAZMAT - Jo rastësisht, fantazma e ish-trajnerit të Anglisë gjendet thuajse kudo në komentet e pasndeshjes me Çekinë. Tifozët kanë nisur të përjetojnë në "deja vu" deri diku shqetësuese. Nëntë muaj më parë, sërish në një mbrëmje me shi, "luanët" humbën ndaj Kroacinë dhe u eliminuan nga Euro 2008-a. Ndaj Republikës Çeke luhej vetëm për prestigjin e një kombëtareje, që mendonte se i kishte zgjidhur të gjitha problemet, duke marrë trajnerin më të mirë në qakullim, atë që kishte fituar kudo ku kishte qenë. Në shtator do të luhen dy ndeshjet e para eliminatore ndaj Andorës dhe Kroacisë, provimet e vërteta për "Don Fabio"-n.
IRONIA - Duke parë rezultatin 2-2 në miqësoren ndaj Çekisë, kuotat e Anglisë kanë rënë sërish, pikërisht ditën më të bukur të Britanisë së Madhe në Olimpiadën e Pekinit. Pas elozheve për sportet e tjera, gazetat angleze janë gati për sulmin ndaj "yjeve tekanjoze të futbollit". Flitet për turp në "Uemblli". "It's not Fab yet, Capello - Nuk është akoma i mrekullueshëm Kapelo" - ishte titulli i "Daily Star". Ndërkohë, "Daily Mirror" flet për "rrëmujën e vjetër dhe të zakonshme", duke iu referuar lojës së anglezëve. "Telegraph" i thur lavde Xho Kolit, si heroi i mbrëmjes, duke parë se goli i tij më minutën e 90-të shmangu humbjen.
REDKNAP - Një hapësirë e madhe i është lënë opinionit plot "helm" të Herri Redknapit, trajnerit anglez që ka fituar më shumë në Ligën e Kampioneve. Aktualisht, ai është trajneri i Portsmuthit, por janë të shumtë ata që duan ta shohin në stolin e Anglisë. Për ndeshjen me Çekinë, Redknap tha: "Ishte një nga ndeshjet më të këqija në historinë e futbollit anglez". Mbi të gjitha, sipas tij, ndikoi pozicioni i gabuar i Stiven Xherrardit: "Po e masakrojmë mesfushorin tonë më të mirë!".
BARVIK - Federata Angleze e Futbollit ka shkarkuar shefin e ekipeve kombëtare, Brajan Barvik, njeriun që kishte zgjedhur Fabio Kapelon. Vendimi është marrë menjëherë pas ndeshjes ndaj Çekisë dhe është përgëzuar nga gazetat "Daily Mail" dhe "Daily Express", të cilat i kanë kushtuar titujt kryesorë. Por "ajka" lexohej te "Times": "Iku Barvik, u kthye futbolli". Me pak fjalë, asgjë nuk ka ndyshuar nën qiellin e Londrës, që nga mbrëmja fatale për Stiv Meklarenin. Asgjë, me përjashtim të çadrës që i mungonte Kapelos.