E Diel, 1 Nëntor 2026

AKR: Kontrolli në veri nuk vendoset brenda një dite

Nga Express më 08 gusht 2011 në ora 17:17

Koalicioni për Kosovë të Re, përmes një komunikate për medie, ka përshëndetur marrëveshjen e fundit midis Qeverisë dhe KFOR-it, në lidhje me regjimin e përkohshëm të kontrollit të pikave kufitare në veri të vendit.

Koalicioni, si pjesë aktive e qeverisjes në Kosovë, vlerëson se zhvillimet që i paraprinë marrëveshjes në fjalë, vetë marrëveshja e përkohshme, me synim rivendosjen e kontrollit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin, janë thjesht disa hapa, pjesë e një procesi të pandalshëm tashmë.

“Vendosja e këtij kontrolli nëpërmjet funksionalizimit të gjithë institucioneve të shtetit ligjor në Veri të vendit, është një proces i gjatë që nuk mbaron në një ditë, në një sezon dhe për këtë nevojitet uniteti i faktorëve të brendshëm politik dhe institucional, me faktorët relevantë ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë”, vlerëson ky koalicion.

Të bindur se ky proces nuk njeh më kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme, Koalicioni për Kosovë të Re nënvizon se “në këto kushte, bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar, gjegjësisht atë perëndimor në Kosovë është thelbësor për objektivat e sotëm dhe të nesërm të Kosovës si shtet i begate në familjen e kombeve”.

“Ndërkohë ne vlerësojmë se zhvillimet e fundit kanë hapur perspektiva të reja për zhvillimet ekonomike dhe tregtare në Kosovë, me kahje forcimin e prodhimit vendas, zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë,etj”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, sipas këtij koalicioni, Qeveria e Kosovës duhet t’i përkushtohet objektivave të tjerë të zhvillimit të vendit sipas programit, dhe larg triumfalizmave për arritjet e momentit, “duhet të përpunojë një plan tërësor të zhvillimit ekonomik, shoqëror të Veriut, si pjesë e pandarë e Kosovës”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›