LB: Kosova po shkon drejt bosnjëzimit

Lëvizja për Bashkim (LB), nëpërmes një komunikate shtypi, thotë se situata politike nëpër të cilën po kalon Kosova, që nga fillimi i të ashtuquajturave bisedime teknike me Serbinë, është bëre mjaft e rrezikshme.
Madje, sipas kësaj partie, për të gjitha forcat politike që ia duan të mirën Kosovës dhe popullit shqiptar, kjo situatë është alarmante.
"Kosova po shkon me hapa të shpejtë drejt bosnjëzimit. Plani për bosnjëzimin e Kosovës, të cilit po i përmbahen edhe Prishtina edhe Beogradi, parasheh që Kosova t’i fitojë pikat kufitare, ndërsa serbët e veriut statusin e veçantë në kuadër të Kosovës", thekson LB.
Për fat të keq, ky status parashihet që të përfshij edhe territorin e veriut të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve.
"Natyrisht, me fajin e udhëheqjes politike shqiptare, sipas këtij plani, një status të njëjtë nuk do ta gëzojnë edhe shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës".
Pas realizimit të këtij plani, sipas Lëvizjes për Bashkim, Kosova do të jetë një shtet jofunksional. Ndërsa Serbia, duke i përdorur serbët e veriut dhe autonominë e tyre, sipas zyrtarëve të kësaj partie, pritet t’i shtojë presionet që ta rrisë vazhdimisht jofunksionalitetin e Kosovës dhe do ta pengojë lehtësisht edhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar.