E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKR: Lunacek, pre e keqinterpretimeve të mediave

Aleanca Kosova e Re ka reaguar ndaj deklaratës së eurodeputetes Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, e cila u shpreh për mediat se dorëheqja e zëvendëskryeministrit, Behxhet Pacolli do të ishte shembull i mirë dhe do të përmirësonte imazhin e Kosovës.
 

AKR beson fuqimisht se zonja Lunacek është përdorur me qëllim nga ana e disa mediave dhe qarqeve të caktuara në Kosovë, të cilat skanë të ndalur në në lancimin e intrigave ndaj zv/kryeministrit të parë të qeverisë së Kosovës, njëherësh president i AKR-së dhe punës së gjithë qeverisë së Kosovës, thuhet në reagimin e AKR-së.
 

“Ne, jemi të prirur të besojmë se eurodeputetja e nderuar Lunacek nuk i është referuar me këtë rast zotit Pacolli, sepse kështu do të binte në kundërshtim edhe me frymën e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimeve Europiane të cilat prezymojnë pafajësinë në secilin rast”.
 

Aleanca për Kosovën e Re i bën thirrje zonjës Lunacek të deklarohet qartazi lidhur me deklaratën në fjalë, në mënyrë që të mos bëhet pre e keqinterpretimeve të mediave dhe grupeve të caktuara, të cilat me çdo kusht kërkojnë “kokën” e atyre që janë të vendosur dhe veprojnë për sundimin të rendit dhe ligjit.
 

“AKR edhe njëherë shpreh gatishmërinë e plotë të saj, që të jetë në funksion të vendosjes së shtetit ligjor. AKR tashmë është e bindur për një orkestrim të veprimeve nga më të ndryshmet në përpjekje për ta rrëzuar qeverinë e Kosovës, ndër të tjera duke sulmuar një nga figurat kyçe të partnerëve të koalicionit,me qëllim të realizimit të agjendave të tyre politike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AKR-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›