E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati i pare 90 minutesh televiziv mes Obames dhe Romnit

Në Denver të Kolorados në Shtetet e Bashkuara, është mbajtur debati i parë televiziv, mes presidentit Barack Obama dhe rivalit të tij republikan në zgjedhjet e nëntorit, Mitt Romney. Gjatë 90 minutave, kandidatët mbajtën qëndrimin e tyre mbi taksat, reformën e kujdesit shëndetësor dhe rolin e qeverisë.
I pari e mori fjalën presidenti amerikan Barak Obama, i cili e nisi debatin me pak nota humori duke kujtuar 20 vjetorin e martesës së tij me Mishel Obamën.
“Faleminderit Xhim për mundësinë. Dua të falenderoj kandidatin Romney dhe Univesitetin e Kolorados. Ka shumë pika që dua të ndalem sonte, por gjëja më e rëndësishme, është se 20 vjet më parë u bëra burri më i lumtur në toke, pasi Mishel Obama pranoi të martohej me mua. E dashur të uroj gëzuar përvjetorin dhe vitin tjetër nuk do jemi duke festuar para 40 milionë personave”- nisi fjalën e tij Obama.
Nga ana e tij kandidati republikan e uroi Obamën: “Urime zoti president për përvjetorin tuaj. Ky është vendi me romantik që mund të kishit imagjinuar , këtu me mua, prandaj ju përgëzoj”

Pyetja e parë kishte të bënte me mënyrat e krijimit të vendeve të reja të punës. Obama tha se ekonomia e rënduar amerikane, që ai trashëgoi katër vjet më parë po mëkëmbet. Por ai tha gjithashtu se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
“Gjithçka varet nga nga votuesit. Ne do te ulim taksat për koorporatat në mënyrë që të stimulojmë ruajtjen e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara në vend të transferimit të tyre jashtë. Është e nevojshme të bëhen investime pa e rënduar shtresën e mesme të amerikanëve me koston e tyre. Shkurtimet e taksave për shtresën e mesme të amerikanëve u kanë lënë atyre më shumë para në dispozicion. Amrika është më mirë, kur shtresa e mesme është mirë”-tha Obama.

“Unë jam i shqetësuar se rruga që kemi bërë deri tani ka qenë e pasuksesshme. Vendi duhet të ndjekë një rrugë të ndryshme nga e kaluara. Presidenti e ka pikëpamjen e ngjashme me atë që e kishte kur kandidoi para katër vitesh, atë të qeverisë më të madhe, të shpenzimeve më të mëdha. Kjo nuk është përgjigjje e drejtë për Amerikën”- tha kandidati republikan.

Goditja kryesore e Romeny-t u bazua tek defiçiti gjatë debatit me presidentin amerikan.
“Më vjen mirë që e ngritët si çështje. Është mjaft kritike si çështje, nuk mendoj se është thjesht ekonomike, mendoj se është edhe një çështje morale. Presidenti thotë se do të reduktojë deficitin, por në fakt e ka dyfishuar atë. Ka krijuar një borxh kaq të madh pothuajse sa të gjithë presidentët e tjerë të marrë së bashku”-vijoi Romni.

Ndërkohe replika e Obamës ishte:
“Kam trashëguar një borxh të madh, por bëmë shumë dhe e di që duhet të bëjmë akoma më tepër. Dhe për këtë kam një plan reduktimi”.

Vlerësohet se afro 50 milionë amerikanë e kanë ndjekur debatin televiziv Obama – Romney në Shtetet e Bashkuara. Të pranishmit të audiencë do të bëjnë pyetje për politikën e jashtme dhe të brendshme gjatë debatit 16 tetorit, i cili do të zhvillohet në formën e një takimi publik.
Debati i tretë dhe i fundit, që do të zhvillohet më 22 tetor, do të përqendrohet kryesisht në politikën e jashtme.
Ndërsa debati mes kandidatëve për nënpresident do të zhvillohet më 11 tetor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›