E Diel, 1 Nëntor 2026

AKU bllokon disa kilogramë çokokrem “Nudossi” të kontaminuar me salmonelë

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar disa kilogram krem lajthie me kakao, Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème, e importuar nga “Lengo Group”.

Sipas njoftimit për shtyp, AKU thekson se Shqipëria është njoftuar nga sistemi RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) mbi alertin me temë “Salmonella spp në krem lajthie në kakao” me origjinë nga Gjermania, duke përbërë risk serioz për shëndetin e njeriut.

AKU ka kryer verifikimet përkatëse në subjektin importues ku janë bllokuar krem lajthie me kakao “Nudossi Nugat Creme”, me datë skadence 18.09.2026 15 copë ose 4.5 kg dhe krem lajthie me kakao “Nudossi Nugat Creme”, me datë skadence 26.08.2026 46 copë ose 13.8 kg.

Nga verifikimet e kryera rezulton se sasia e shitur te konsumatori fundor është 8.7 kg për të cilën subjekti ka kryer njoftim në ambientin tregtues.

AKU i bën thirrje konsumatorit që nëse e kanë në gjendje këtë produkt ta kthejnë në pikat e tregtimit ku e kanë blerë.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›