E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALBINVEST: Dy programe të reja në mbështetje të eksportuesve

Programet e reja të qeverisë shqiptare për rritjen e konkurrueshmërisë ishin në qendër të një takimi të organizuar dje në qytetin e Elbasanit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Elbasan dhe Ministria e Ekonomisë. Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ramis Lleshi, theksoi se "qeveria shqiptare në këto vitet e fundit ka akorduar fonde për rritjen e konkurrencës në rajon". Sipas tij, fondet e buxhetit të shtetit iu ofrohen kompanive eksportuese për zgjerimin e aktivitetit të tyre. "Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe fondin e kredive, që vjen në ndihmë të kompanive eksportuese për t’i bërë ballë konkurrencës së rajonit e më gjerë", nënvizoi Lleshi. Agjencia Shqiptare e Biznesit dhe Zhvillimit (ALBINVEST ) po zbaton dy programe në kuadër të rritjes së konkurrueshmërisë së eksportuesve shqiptarë. Përfaqësuesi i ALBINVEST-it, Bledar Cergani, theksoi se "dy programet, "Fondi i garantimit të kredive për eksport", dhe "Skema e grantit të konkurrueshmërisë" ndikuan në rritjen e eksporteve shqiptare". "Fondi i garantimit të kredive për eksport" është pjesë e garancive që lëshon shteti shqiptar për bizneset dhe kufiri maksimal i tyre për vitin 2008 është në shumën e 20 milion lekëve dhe do të jepet për një periudhë gjashtë mujore. "Nga ky fond do të përfitojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat ushtrojnë veprimtari në eksport dhe që kanë më shumë se tre vjet aktivitet", nënvizoi Cergani. Ndërsa programi "Skema e grantit të konkurrueshmërisë", vijoi ai, parashikon mbulimin e 50 për qind të investimeve që një firmë tregtare bën në lidhje me prezantimin në panaire, si dhe në certifikimet e cilësisë. Në këtë kuadër Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Elbasan, Veli Kazazi, vlerësoi se prezantimi i këtyre dy programeve është një mundësi reale për zhvillimin e të gjitha shoqërive tregtare në Elbasan dhe padyshim do të rrisë kapacitetet tregtare dhe kapacitetet ekonomike të firmave, që mund të kenë probleme likuiditeti....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›