Pranga trafikantit, do të kalonte në Greqi 3 klandestinë
GJIROKASTER- Tentoi të kalonte në mënyrë të paligjshme tre persona në tokën greke, por bie në prangat e policisë. Besmir Kamaj, nga Mallakastra, iu ka premtuar tre personave nga qyteti i Fierit se do ti kalonte në tokën greke kundrejt pagesës prej 700 euro secili. 21 vjeçari Kamaj bashkë me klandestinët e tjerë është kapur në flagrancë mbrëmë rreth orës 22:00 në aksin rrugor Gjirokaster-Jorgucat afër kufirit shqiptaro-grek.
Këta shtetas janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe pas marrjes në pyetje 3 shtetasit nga Fieri kanë deklaruar se i kishin dhënë Kamajt nga 700 euro secili për kalimin e kufirit. Një javë më parë në aksin rrugur Përmet-Çarshovë, po nga policia e Gjirokastrës u arrestua një tjetër person, i cili tentoi të kalonte në mënyrë të paligjshme 4 qytetarë nga Fieri kundrejt pagesës prej 700 eurosh secili. Pas ngjarjes tragjike të Butrinit policia kufitare ka shtuar kontrollet, por sërish mbeten ende korridore të hapura për klandestinët.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)