Godo: Të unifikohen qëndrimet terapeutike dhe diagnostikuese në stomatologji
Organizohet Konferenca e 14 -të e stomatologjisë "Duhet të dilni me një qëndrim të unifikuar diagnostik dhe terapeutik në sektorin e stomatologjisë", ishte kërkesa e ministres së Shëndetësisë, znj.Anila Godo, e shprehur dje në konferencën e 14-të të Stomatologjisë. Ky takim u organizua në Hotel Tirana International nga Departamenti i Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, Shoqata e Stomatologëve dhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas znj.Godo, duhet të hartohet udhërrëfyesi dhe të krijohen skemat e një menaxhimi në rang kombëtar për shumë patologji të fushës së stomatologjisë. Sipas saj, "strukturat qendrore dhe rajonale të fushës së stomatologjisë duhet të ushtrojnë një kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm mbi zbatueshmërinë e këtyre udhërrëfyesve, të detyrueshëm për të gjithë stomatologët, pasi duhet të arrijmë në një standardizim të të gjithë qëndrimeve tona në fushën e stomatologjisë". Duke u ndalur tek marrëdhëniet mjekë-pacientë, ministrja Godo tha se "duhet të insistojmë dhe në drejtim të promocionit, që qytetari të jetë i mirinformuar për shëndetin e tij në fushën orale". Organizatorët e konferencës vunë theksin tek hartimi i një strategjie të përbashkët nga Departamenti i Stomatologjisë, së bashku me Shoqatën dhe MSH për shëndetin oral në Shqipëri. Strategji të tilla, sipas tyre, do të provojnë mbrojtje të indeksit të kariesit dhe patologjive të tjera orale. Ata theksuan nevojën që çdo mjek stomatolog të jetë i azhornuar me metodat dhe preparatet e reja që hyjnë në vendin tonë, si dhe të ndiejnë veten të obliguar në punën shkencore, duke futur metodat e reja bashkëkohore në atë tradicionale. Në konferencë u trajtuan problemet në shërbimin stomatologjik, përsa i përket epidemiologjisë, por dhe diagnozës sa më të hershme dhe më të saktë. Gjithashtu, të pranishmit diskutuan mbi arritjet e stomatologjisë shqiptare dhe të gjithsecilit, duke i ballafaquar ato me ato bashkëkohore. ...