Privatizimi i radhës, INSIG-u

10 kompani të huaja kanë shprehur interes për privatizimin e 61% të aksioneve të INSIG Kryeministri Berisha theksoi dje, në mbledhjen e radhës të qeverisë, pas miratimit të kontratës për privatizimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, se "tani është radha e INSIG-ut". Sipas burimeve zyrtare të ministrisë së Financave, dhjetë kompani të huaja kanë shprehur interes për privatizimin e 61% të aksioneve shtetërore të kompanisë së sigurimeve INSIG, ndërsa ky proces pritet të përfundojë në muajin nëntor. Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë vlerësuar ofertat e paraqitura nga dhjetë kompanitë dhe pas kësaj do të kryejnë seleksionimin e kompanive që kualifikohen si investitorë strategjikë për të blerë INSIG-un. Ndërkohë, përfaqësuesit e kompanive të huaja do të ftohen që të kryejnë vetë analizën financiare të INSIG-ut. Për këtë proces kompanive të huaja do t’u lihet një muaj afat dhe pas kësaj ata duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave çmimin që ata ofrojnë për blerjen e kompanisë. Shpallja e ofertës më të mirë për privatizimin e kompanisë INSIG do të kryhet brenda muajit nëntor, duke i dhënë fund kështu procesit të privatizimit të kompanisë së parë të sigurimeve në vend. Kompania audituese KPMG po kryen edhe procesin e vlerësimit të aseteve të kompanisë INSIG dhe më pas do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili, në bazë të çmimit të dalë nga vlerësimi, do të përcaktojë dhe një nivel minimal dhe maksimal, që do të shërbejë si bazë për hapjen e tenderit për privatizimin e kësaj kompanie. Aktualisht qeveria shqiptare ka rreth 61% të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, kanë përkatësisht nga 19.5% secila. Kompania shtetërore e sigurimeve u themelua në vitin 1991 dhe prej shumë vitesh ka qenë lider në këtë treg, ndërsa tani renditet e treta me rreth 17% të tregut të sigurimeve. ...