E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, Komisioni rajonal i emergjencave civile përgatitet për periudhën e dimrit

Në prefekturën e Kukësit ka nisur funksionimi i komisionit të emergjencave civile më synim përballimin e situatave të vështira, që janë të zakonshme në këtë rajon gjatë periudhës së dimrit. "Komisioni rajonal i emergjencave civile do të funksionojë edhe në situata normale gjatë periudhës së dimrit, ndërsa do të ndjekë në vazhdimësi të gjitha masat për përballimin e situatave të vështira si rrjedhojë e reshjeve të dëborës në këtë rajon", tha prefekti i Kukësit, Qamil Cenalia. Sipas tij, vëmendja është përqendruar në mbajtjen hapur të akseve kryesore rrugore, në funksionimin e sistemit të lajmërimit në çdo komunë në raste të fatkeqësive, në sensibilizimin e komunitetit për krijimin e rezervave të mjaftueshme ushqimore për periudhën e dimrit, etj. Drejtori i drejtorisë rajonale të rrugëve, Rushit Gashi, tha se "është zhbllokuar fondi për periudhën e dimrit, duke mundësuar krijimin e një rezerve prej 150 tonë skorje e 50 tonë kripë për rrethin e Kukësit dhe 130 tonë skorje e 40 tonë kripë për rrethin e Tropojës". Ndërkohë shqetësim përbën aksi rrugor Kukës - Morin, që lidh Shqipërinë me Kosovën, ku jo vetëm është dëmtuar ndjeshëm rruga ekzistuese, por edhe mungon sinjalistika rrugore. Kjo ka bërë që t'u kërkohet firmave ndërtuese të këtij segmenti të autostradës që të shohin mundësinë e përshpejtimit të punimeve, me objektivin që të mund të lëvizet që këtë dimër në trasenë e autostradës së re që po ndërtohet. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›