ALO 116 - Telefoni i Ndihmës për Fëmijët, edhe për përmbytjet

Tiranë, 15 Janar NOA - Shërbimi më i ri në
Shqipëri ALO 116 - Telefoni i Ndihmës për Fëmijët ka filluar të jetë tashmë
në shërbim të të gjithë fëmijëve dhe familjarëve të tyre të përmbytur nga
fatkeqësia e fundit në Qarkun e Shkodrës.
Operatorët e këtij shërbimi që funksionon
non-stop gjatë çdo ditë te javës, janë trajnuar që përveç përgjigjeve dhe
referimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me shqetësimet e fëmijëve të jenë të
gatshëm të ndihmojnë me referime edhe në rastet kur në qendrën operative do të
mbërrijnë telefonata nga zona e përmbytjes.
Ky shërbim i CRCA në bashkëpunim me UNICEF
mundësohet në kuadër të pjesëmarrjes së CRCA në Iniciativën e Shoqërisë Civile
në Ndihmë të të Përmbyturve në Shkodër ku bëjnë pjesë përfaqësues të
organizatave më të mëdha dhe aktive të shoqërisë civile në Shqipëri.
Kushdo që do ketë nevojë nga zonat e
përmbytura mund të telefonojë falas në numrin kombëtar 116 dhe do të marrë
informacionin, referimin dhe ndihmën e duhur nga operatorët tashmë të trajnuar
për tiu përgjigjur sa më profesionalisht nevojave të telefonuesve.
Kujtojmë se shërbimi Alo-116 është për
fëmijët, kujdestarët e tyre madhorë, apo të rinjtë deri në moshën 18 vjec.
Ndërkohë, në kuadër të Iniciativës së
Shoqërisë Civile në Ndihmë të të Përmbyturve në Shkodër, u zhvilluan disa
takime në Shkodër sikundër shihet dhe në foto, ku organizatat pjesëmarrëse
forcuan organizimin e tyre tashmë publik, në ndihmë të të gjitha strukturave të
ngritura për menaxhimin dhe përballimin e situatës pas përmbytjeve.
Gjatë takimeve në Shkodër u vendos që të
krijohet një grup koordinues me qëllim shkëmbimin e detajuar të informacioneve
dhe bashkërendimin e veprimeve. Pjesë e këtij grupi u zgjodh edhe një
përfaqësues i përhershëm nga Shtabi i Emergjencës i ngritur nga Prefektura e
Shkodrës.
Takimi i Shkodrës ishte i rëndësishëm sidomos
përsa i përket organizimit të shoqërisë civile dhe organizatave kryesore që
kanë marrë përsipër të ndihmojnë të përmbyturit.
Të gjitha organizatat pjesë të Iniciativës së
Shoqërisë Civile në Ndihmë të të Përmbyturve do të shkëmbejnë informacionet në
kohë rekord në mënyrë që çdo plan veprimi të jetë i koordinuar duke shmangur
mbivendosjet.
Sakaq, pranë ambienteve të CRCA/DCI
Shqipëri ka filluar grumbullimi i ndihmave materiale për familjet e përmbytura.
Adresa e vendit në Shkodër ku do të mblidhen ndihmat është: Shoqata
"Dimension Human", Azili i Pleqve, Rruga Jorgji Karamitri, Shkodër.
r.d/NOA