E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryqi i Kuq Shqiptar dhuron 15.000 USD për viktimat e tërmetit në Haiti

Tiranë, 15 Janar NOA - Kryqi i Kuq Shqiptar
dhuron 15.000 dollarë amerikanë për viktimat e tërmetit në Haiti duke
mbështetur në këtë mënyrë, apelin e ndihmës të lëshuar nga Federata
Ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. Ky
kontribut modest u deklarua nga Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar
Prof.Dr.Shyqyri Subashi në një takim me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministër të
Punëve të Jashtme Ilir Meta.

Në takim u diskutua mbi situatën tragjike në
Haiti pas tërmetit dhe mbi solidarizimin e popullit shqiptar me popullin
haitian në këto ditë jashtëzakonisht të vështira për të.

Pikë tjetër diskutimi ishte edhe situata
humanitare në vend. Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar e informoi Zëvendës
Kryeministrin për angazhimin e shoqatës në ndihmë të banorëve të zonave të
përmbytura në Shkodër dhe nënvizoi koordinimin me organet e pushtetit.

Meta e falënderoi Kryqin e Kuq Shqiptar për
kontributin e tij në përballimin e pasojave të kësaj katastrofe si dhe për
veprimtarinë humanitare të gjithanshme. Ai premtoi një mbështetje edhe më të
madhe të organeve të pushtetit për shoqatën.

Ndërkohë operacioni i shpërndarjes së ndihmave
në qarkun e Shkodrës për 2.200 familje të marra përsipër nga Kryqi i Kuq
Shqiptar me ndihmën financiare të Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të
Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, ka vazhduar. Artur Katuci, Koordinator
i Komunikimit në KKSH, tha për NOA se sot janë ndihmuar 100 familje në fshatin
Kuç të Komunës Gur i Zi ndërsa për 52 familje të tjera të këtij fshati,
shpërndarja do të vazhdojë edhe nesër.

v.l/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›