E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZNI: Si dhe sa do të paguani për trojet në zonat turistike



Eljona Ballhysa
Qeveria ka vendosur një afat prej 6 muajsh për të gjithë ata qytetarë të interesuar për të privatizuar trojet në zonat turistike. Në vendimin e miratuar dje nga qeveria parashikohet se në rast se nuk shlyhet detyrimi financiar brenda afatit prej 6 muajsh, qytetari humbet të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror mbi të cilin është ndërtuar. Në vendimin e qeverisë përcaktohet mënyra e shlyerjes së detyrimeve financiare për të privatizuar truallin mbi të cilin janë bërë ndërtime pa leje në zonat turistike. Me të gjithë procesin e legalizimit të këtyre ndërtesave dhe me kalimin e pronësisë së truallit do të merret Agjencia e Legalizimeve. Në bazë të vendimit të qeverisë qytetarët do të paguajnë për truallin e zënë në zonat turistike në bazë të hartës së vlerës së tokës. Në vendim janë parashikuar disa lehtësi për ata qytetarë që vendosin ta shlyejnë njëherësh detyrimin financiar.
Vendimi
“Çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës. Shlyerja e çmimit të truallit nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, në të cilin është përcaktuar vlera e çmimit që do të paguhet. Pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit të njësisë së ndërtuar nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar bëhet brenda 6 muajve nga data e marrjes së njoftimit”, - është parashikuar në vendimin e qeverisë. Sipas këtij vendimi, çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar paguhet në dy mënyra: në mënyrë të vetme dhe në mënyrë periodike. Vendimi parashikon se kur çmimi paguhet në mënyrë të vetme, qytetari përfiton ulje të çmimit. Kështu, në nenin 14 të ligjit “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikohet një reduktim në masën 10% të vlerës së truallit në ato raste kur i gjithë detyrimi financiar paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim. Po kështu parashikohet një reduktim i çmimit në masën 20% të vlerës së truallit në ato raste kur detyrimi financiar paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim.
Në vendim parashikohet se qytetari duhet të dorëzojë dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e pagesës pranë ALUIZNI-t që e administron atë në dosjen përkatëse të subjektit. Kur vërtetohet se qytetari ka paguar të gjithë vlerën e çmimit të truallit apo pjesën takuese të tij, vijohet me lidhjen e kontratës së kalimit të së drejtës së pronësisë mbi truallin. Në rastet kur subjekti i interesuar, pra qytetari, ka paguar një pjesë të çmimit të truallit, por nuk e kanë shlyer tërësisht pagesën brenda afatit të parashikuar prej 6 muajsh, atij i humbet e drejta për të lidhur kontratën e kalimit të pronësisë dhe i kthehet shuma e paguar. Për njësitë e ndërtuara që gëzohen nga dy ose më shumë subjekte të interesuara për privatizimin e truallit, në rastet kur njëri prej tyre ka paguar pjesën takuese të çmimit të truallit brenda afatit të përcaktuar, ky i fundit ka të drejtë të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë, pavarësisht nëse bashkëpronari tjetër nuk ka paguar pjesën e tij takuese të çmimit të truallit.

Çfarë parashikon ligji për rregullimin e pronësisë në zonat bregdetare

Ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikon që truallin ka të drejtë ta blejë ose pronari i objektit të ndërtuar në tokën shtetërore që është i interesuar për të privatizuar këtë truall, ose personi i stimuluar, i cili është ai person që ka marrë me qira tokën shtetërore dhe ka ndërtuar objekte në të. Në rastin kur trualli i shitet personit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80% të vlerës prej subjektit, 20% të kësaj vlere nga personi i stimuluar. Personat e interesuar për privatizimin e truallit duhet të paraqesin, brenda një afati 60-ditor, dokumentacionin që do të publikohet nga Agjencia Kombëtare e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Gjatë këtij procesi, ALUIZNI ka si detyrim bashkërendimin e punës me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikimin e të dhënave për pronat shtetërore në zonat turistike të dhëna me qira. Blerja e truallit të njësisë së ndërtimit bëhet në bazë të kërkesës së paraqitur nga subjekti i interesuar, që mund të jetë pronari i objektit ose personi i stimuluar, pra ai që ka marrë me qira truallin shtetëror. Ndërkaq, çmimi i truallit do të jetë në proporcion me sipërfaqen në funksion të njësisë së ndërtimit. Trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi të personit që gëzon objektin e ndërtuar brenda një zone të stimuluar, që është zona turistike e ndërtuar në truall shtetëror. Kontrata e shitjes ndërmjet ALUIZNI-t dhe subjektit të interesuar lidhet vetëm pas pagimit të plotë të çmimit të shitjes. Vetëm pas nënshkrimit të kontratës, subjekti i interesuar ka të drejtë që ta regjistrojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kontratën për fitimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Projekti parashikon se më parë do të realizohet çregjistrimi i objekteve private të ndërtuara në truallin shtetëror, pasi regjistrimi i tyre është i paligjshëm. Në projekt parashikohet se procesi i regjistrimit fillestar të këtyre objekteve në ZRPP do të kryhet nga ALUIZNI. Ndërsa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të drejtën e pronësisë ndërmjet subjekteve të interesuara, projektligji parashikon se ALUIZNI ka të drejtë të lidhë kontratën e shitjes me subjektin e interesuar që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale të pronësisë.

20 për qind ulje çmimi në rastet kur pagesa bëhet e plotë

Në projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikohet masa lehtësuese në ndihmë të personave të interesuar për të bërë kalimin e pronësisë së truallit. Kështu, në nenin 15 të këtij drafti parashikohet një reduktim në masën 10% të vlerës së truallit në ato raste kur i gjithë detyrimi financiar paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim. Po kështu parashikohet një reduktim të çmimit në masën 20% të vlerës së truallit në ato raste kur detyrimi financiar paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim. Të ardhurat kalojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Nga ana tjetër, projektligji parashikon sanksione. Në nenin 17 të këtij drafti shkruhet se në ato raste kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi, trualli vlerësohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimin fizik të ish-pronarëve.

Çmimet e tokave në zonat turistike sipas AKKP-së

Dhërmi: 2 281 lekë/m2
Palasë: 1 729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17 867 lekë/m2
Radhimë: 2 143 lekë/m2
Zvërnec: 1 617 lekë/m2
Delvinë: 1 191 lekë/m2
Ksamil: 3 686 lekë/m2
Në Shkodër
Çmimi maks.: 31 753 lekë/m2
Çmimi min.: 13 429 lekë/m2
Velipojë: 1 286 lekë/m2
Pogradec
Çmimi maks.: 2 7177 lekë/m2
Çmimi min.: 22 000 lekë/m2
Golemi 17 158 lekë/m2
Karpeni 14 117 lekë/m2
Spilleja 11 075 lekë/m2
Gjiri i Durrësit 37 262 lekë/m2
Gjiri i Lalëzit 13 866 lekë/m2
Shëngjini 25 510 lekë/m2
Gjiri i Rodonit - Laç 4 904 lekë/m2
Gjiri në lumin Mat 4 904 lekë/m2
Bregu i Liqenit 21 564 lekë/m2

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›