Vendimi, sigurohet jeta e ushtarëve shqiptarë në misionet paqeruajtëse
TIRANË - Vendoset sigurimi i jetës së ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të cilët janë dërguar me misione ushtarake jashtë vendit. Ky vendim është marrë nga Këshilli i Ministrave, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 6, të Ligjit Nr. 9363, datë 24 mars 2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, të shkronjës c, të pikës 2, të nenit 5, të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, dhe të Ligjit Nr. 10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, është vendosur që të bëhet sigurimi i jetës. “Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me INSIG-un, të bëjë sigurimin e jetës nga aksidentet në grup të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që janë me mision ushtarak jashtë vendit”, - thuhet në vendimin e marrë ditën e djeshme. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, për vitin 2010. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Mbrojtjes dhe “INSIG” sh.a. Siç është bërë e ditur, sigurimi i jetës do të bëhet për një vit, duke u rinovuar përgjatë viteve të tjera. Shqipëria ka disa misione paqeruajtëse, si në Afganistan, Irak, Çad, Bosnjë-Hercegovinë etj. Këta të fundit shërbejnë në misione gjashtëmujore dhe janë pjesë e trupës elitë të vendit. Pak ditë më parë, me një vendim të veçantë të qeverisë, është vendosur dhe rritja e pagesës ditore për ushtarakët shqiptarë që shërbejnë në vende të huaja.
Dy ditë më parë ishte ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ka vizituar kontingjentin e trupave shqiptare të paqes në Afganistan. Komandantët italianë i kanë shprehur atij falënderimin për kontributin që Shqipëria dhe Forcat e Armatosura po japin në operacionin “ISAF”. Ndërsa ministri Imami ka vlerësuar bashkëpunimin në këtë mision luftarak me kontingjentin italian të një vendi mik dhe aleat.
6 Maj 2010