Gjykata e Lartë cilëson të pafajshëm ish-ambasadorin Fatos Tarifa
Laureta Rryçi
Ndërsa dy gjykata e cilësuan fajtor ish-ambasadorin Fatos Tarifa, dje, Gjykata e Lartë i rrëzoi këto vendime duke pushuar çështjen me arsyetimin se gjykimi ndaj ish-diplomatit nuk duhej të kishte nisur fare. Kolegji i Gjykatës së Lartë, me relator gjykatësin Gani Dizdari, rrëzoi pretendimin e Prokurorisë së Përgjithshme se ish-ambasadori ynë në Uashington, Fatos Tarifa, i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm 143 mijë dollarë amerikanë, duke e shpallur të pafajshëm. Në seancë ishte i pranishëm edhe ish-diplomati Fatos Tarifa së bashku me avokatin Maksim Haxhia.
Pretendimet
Mbrojtja i tha kolegjit penal se përgjegjësia ligjore nuk mund të binte mbi Tarifën, por mbi punonjësit e tjerë, të cilët kryejnë edhe kontrollin e financave të ambasadës. Ndërkohë, përfaqësuesi i akuzës vijoi me të njëjtat pretendime duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga gjykatat e dy shkallëve më të ulëta. Kolegji penal, pasi ka dëgjuar të dyja palët, vendosi në favor të ish-diplomatit duke ia mbyllur kështu atij njëherë e mirë llogarinë me Drejtësinë shqiptare.
Vendimi
Tarifa ishte shpallur fajtor nga dy gjykata dhe ishte dënuar me një gjobë 400 mijë lekë, pasi sipas prokurorisë, ish-diplomati, gjatë ushtrimit të detyrës së tij kishte vepruar në kundërshtim me ligjin në likuidimet e pagesave pa fatura fiskale dhe mosjustifikimin e pagesave të bëra. Vendimet e dy gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë dhe qëndrimin e prokurorisë, Gjykata e Lartë i hodhi poshtë me argumentimin se gjykimi nuk duhet të kishte nisur fare ndaj ish-diplomatit të njohur. Ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në raportin e dërguar Prokurorisë konstatoi të pajustifikuara shpenzimet e Tarifës përgjatë viteve 2005-2005 në Ambasadën Shqiptare në Uashington. Këto akuza nuk u pranuan asnjëherë nga ish-diplomati, i cili në atë kohë u shpreh se kishte ndërmend ta kërkonte pafajësinë e tij nëpërmjet rrugës ligjore.
6 Maj 2010