E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet e parakohshme, ngrihet grupi i punës për ndryshimin e përfitimeve

Pjesë e ndryshimit të ligjit do të jenë personat që kanë dalë në pension në vitet ‘93-‘96

Jonida Tashi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore cakton një grup specialistësh për ndryshim e skemës së pensioneve të parakohshme. Nga këto ndryshime preken të gjithë ata persona që janë bërë pjesë e përfitimeve nga sigurimet shoqërore gjatë viteve 1993-1996, për shkak të mbylljes së disa ndërmarrjeve shtetërore. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Saba Goci, shpjegon se ndryshimi do të bëhet për të ngushtuar diferencën e përfitimeve që ekziston midis kësaj kategorie dhe atyre të skemës klasike të pensioneve.
Ndryshimet
“Tashmë është ngritur grupi i punës, i cili do të paraqesë edhe ndryshimet që duhet të pësojë skema e pensioneve të parakohshme. Për të ngushtuar diferencën midis përfitimeve do të bëhet indeksimi dhe rimbursimi i pensioneve edhe për personat e kësaj kategorie”, - shpjegon Goci. Grupi i punës do të përcaktojë saktësisht numrin e pensionistëve për të cilët lind nevoja e rillogaritjes së pensionit për periudhën 1 tetor deri më 31 dhjetor 1993 dhe faturën vjetore të nevojshme për të bërë të mundur realizimin e pagesës së pensioneve pas rillogaritjes së tyre. Pas nxjerrjes së këtyre të dhënave dhe diskutimit në Këshillin Administrativ të ISSH-së, nga i cili do të dalë edhe propozimi konkret, do të shikohet mundësia e ndërmarrjes së iniciativës për ndryshime në ligj. Pjesa më e madhe e përfituesve të pensionit të parakohshëm që kanë dalë në pensionin brenda harkut kohor ’93-’96 janë bërë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore duke marrë pension të reduktuar. Lidhur me këtë lloj përfitimi, drejtori i Kontributeve në ISSH sqaron se edhe pas ndryshimit të skemës së pensioneve të parakohshme, sërish kjo kategori do të marrë pension të reduktuar.
Përfitimi
“Përfitimi që këta persona marrin është pensioni i reduktuar. Ndërkohë që edhe pas ndryshimit të skemës ata do të vazhdojnë të marrin sërish të njëjtin përfitim, pasi janë bërë pjesë e pensionit të reduktuar dhe nuk mund të dalin dot më prej tij. Kjo është e vlefshme jo vetëm për personat që kanë plotësuar vitet e punës, por jo moshën për të dalë në pension të plotë pleqërie, por edhe për ata që mund t’i kenë siguruar të gjitha kushtet e pensionit”, - është shprehur drejtori i Kontributeve në ISSH. Më tej ai ka shpjeguar se megjithëse si përfitim mujor shuma e pensionit të reduktuar është më e vogël se masa e pensionit të pleqërisë, sipas llogaritjeve në vite, përfituesit e pensionit të reduktuar marrin pothuajse të njëjtën masë përfitimi, sikurse ata të pensionit të plotë. Kjo ndodh për faktin se përfituesit e pensionit të reduktuar bëhen më herët pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore, pa plotësuar kushtet e nevojshme dhe megjithëse në masë më të vogël, e marrin këtë lloj përfitimi më gjatë në kohë. Ndërsa përfituesit e pensionit të plotë bëhen më vonë pjesë e kësaj pagese dhe vetëm kur kanë plotësuar kushtet për ligjërimin e tij. Drejtori i Kontributeve bën të ditur se sipas statistikave, maksimumi kohor që një person mund të marrë pension në vendin tonë është 20 vjet.
Ankesat
Vazhdimisht personat që kanë dalë në pension të parakohshëm në intervalin kohor 1.10.1993-31.12.1993 janë ankuar edhe zyrtarisht për masën e përfitimit të që ata marrin. Kjo kategori pensionistësh, sipas masës fillestare të caktimit të pensionit, ka përfituar shtesë në masën e tij, sipas Vendimit të qeverisë, Nr.489, datë 16.10.2002 “Për ngushtimin e diferencave të masës së pensioneve të caktuara në periudhën kohore 1 tetor 1993-31 dhjetor 1996”, si dhe sipas Vendimit Nr. 787, datë 26.11.2003 “Për zbatimin e fazës së katërt të ngushtimit të diferencave në masën e pensioneve” si pensione të caktuara me Ligjin e ri Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për periudhën kur e kanë përfituar pensionin (tetor-dhjetor 1993) nuk janë bërë objekt përfitimi nga Ligji Nr.9588, datë 25.07.2006 “Për rillogaritjen e pensioneve”. Në këto kushte, ankesa e kësaj kategorie pensionistësh është të ndërmerret ndonjë iniciativë ligjore me qëllim që edhe ata të përfitojnë shtesa në masën e pensionit, pasi vënë re disnivel të masave të pensioneve të tyre me pensionet e kolegëve që kanë përfituar pensionin në periudha para apo pas tyre.

Vendimi që duhet rishikuar për pensionet e parakohshme
Ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore duhet të paraqesin disa propozime konkrete për ndryshimin e Vendimit Nr.489, datë 16.10.2002 “Për ngushtimin e diferencave të masës së pensioneve të caktuara në periudhën kohore 1 tetor 1993-31 dhjetor 1996”. Sipas këtij vendimi, pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.10.1993 deri më 31.12.1996, sipas neneve 31 e 32 të Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” dhe që vazhdojnë të paguhen deri më datë 31.8.2002, të ndryshohen si më poshtë vijon:
a) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.10.1993 deri më 31.12.1993, me masë pensioni nga 1 286 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 771 lekë.
b) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.1.1994 deri më 30.9.1994, me masë pensioni nga 1 973 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
c) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.10.1994 deri më 30.4.1995, me masë pensioni nga 2 253 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
ç) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.5.1995 deri më 30.9.1995, me masë pensioni nga 2478 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
d) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.10.1995 deri më 30.3.1996, me masë pensioni nga 2 776 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhem deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
dh) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.4.1996 deri më 31.12.1996, me masë pensioni nga 3420 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 672 lekë.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›