E Diel, 1 Nëntor 2026

Të mos heshtet më tej për mohimin dhe vjedhjen e pronës



Rrapo Hajredin Danushi, Kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

Në emër të pronarëve të ligjshëm të shpronësuar padrejtësisht nga diktatura sllavokomuniste dhe në emër të Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi, i drejtojmë falenderim publik mjekes kirurge, pjesmarrëse në grevën e urisë, zonjës Mimoza Boçari, por njëkohësisht i formulojmë një tjetër letër pa zarf kryeministrit antidemokratik dhe antipronar Sali Berisha. Unë dhe gjithë populli i Vlorës, jemi dëshmitarë të grabitjes, që po bëhet në pronat e kësaj familjeje. E përgëzoj dhe falenderoj publikisht këtë kirurge të ardhur nga Gjermania, që në emër të pronarëve u fut ne grevën e urisë, që me fjalën e saj përfaqësoi të gjithë njerëzit e ndershëm dhe demaskoi pseudodemokracinë. Jo vetëm kolegët e saj të spitalit Tiranë, por të gjithë antikomunistët e orëve të para e njohin këtë mjeke pasi në grupin e intelektualëve, është nga të parat, që ngriti zërin në 1990 për të përmbysur diktatorin dhe diktaturën dhe për këtë u ndëshkua me largim nga puna prej regjimit të kohës. Këtë fakt kryeministri Berisha e kujton fare mirë. Thirrja, që kjo pronare i bëri Kryeministrit Berisha, i drejtohet njëkohësisht të gjithë politikanëve të djathtë e të majtë dhe gjithashtu përfaqësueve të trupit diplomatik, që ata të kuptojnë shkakun dhe të veprojnë për ta futur shtetin Shqiptar në rrugën e demokracisë së vërtetë.
Kjo mjeke, na nderoi, se me zërin e saj shprehu kërkesën e drejtë të të gjithë pronarëve që kthimi i pronës tek i zoti është detyrim kushtetues dhe duhet të jetë detyrim i shtetit .... Eshtë qëndrimi antipronar i klanit Berisha – Nano, dhe platforma e Katovicës, që vazhdon edhe sot prej 19 vjetësh nën petkun e pluralizmit. Eshtë protogonisti Sali Berisha, që shkeli të drejtën e pronës, që arbitrarisht vazhdoi ta konsiderojë pronën e grabitur nga diktatura si pronë në dispozicion të kastës politike. Eshtë kjo situatë absurde, që e detyroi këtë kirurge të vijë nga Gjermania dhe të futet në emër të pronarëve në grevën e urisë.
Me shumë shkrime dhe protesta, Shoqata e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” ka venë në dukje se anarkia e pronës është krijuar nga dyshja Berisha - Nano, për qëllime elektorale, për të pasuruar familjet e tyre dhe klanet e korruptuara që i mbështesin. Shoqata ka kritikuar dhe kritikon publikisht se, ligjet për pronat, komisionet e pronave dhe sot Agjensia qendrore e pronave funksionojnë si institucione për të manipuluar dhe penguar kthimin fizik të pronës tek i zoti. Rasti i pronave të familjes Boçari është flagrant dhe ky shembull flagrant shërbeu që të shpërthejë dhe të derdhet në media kjo plagë tashmë e qelbëzuar prej 19 vjetësh. E përgëzoj kirurgen që po përfaqëson demokracinë dhe pronarët e ligjshëm, sepse ajo me fjalën e saj si bisturi shpërtheu këtë çiban të politikës. Për këtë Dr. Mimoza Boçari do të falenderohet gjithmonë nga i gjithë elektorati i majtë dhe i djathtë, nga ish të përndjekurit dhe të gjithë njerëzit e ndershëm, që e duan Shqipërinë, por do të anatemohet nga hajdutët, që vazhdojnë të pasurohen duke shitur, duke vjedhur dhe shfrytëzuar pronat tona. Falenderoj dhe gazetarët, që po ndihmojnë për ta pastruar këtë plagë antidemokratike, antinjerëzore dhe antikombëtare.
Ne pronarët, të djathë apo të majtë, denoncojme përsëri se Sali Berisha (ashtu si dje Fatos Nanon) është armiku i demokracisë, që ka futur në armiqësi shqiptarët kundër shqiptarëve pasi me ligjet dhe vendimet antikushtetuese, është sabotues i shtresës së pronarëve të ligjshëm të Shqipërisë, është përkrahës i fazlliçëve dhe i korrupsionit të organizuar nga lart poshtë.
Prej vitit 1991 e deri sot Sali Berisha, në mënyrë konstante po kërkon zhdukjen e pronarëve të ligjshëm, ashtu siç për qëllimet e tij, disa dekada më parë, Adolf Hitleri kërkonte zhdukjen e hebrenjve. Këtë qëndrim antipronar ia kam thënë troç zotit Kryeministër së fundmi në gazeten Telegraf 16 Nëntor 2009, por dhe në shumë intervista e artikuj të mëparshëm. Të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër. Heshtja Sali Berishës, tregon papërgjegjshmërinë e tij. Nuk ve në dyshim aftësinë dhe demagogjinë e Sali Berishën dhe këtë e tregon fakti se ai për 19 vjet po manipulon elektoratin e djathtë me frazeologji demokratike por faktet tregojnë se ai ka interesa të tjera. Sali Berisha prej vitit 1991 është një kukull, që po ndjek një linjë antidemokratike dhe antikombëtare, pasi me ligjet dhe vendimet që ka imponuar, ai ka krijuar të ashtuquajturën mbivendosje të pronave, krijimin e pronarëve të rinj dhe mohimin e pronarëve origjinalë. Saliun e kënaq anarkia e pronës dhe përpiqet ti zgjasi jetgjatësinë e kësaj anarkie. (për këtë le të shpjegohet vetë) Atij dhe këshilltarëve të tij i themi se ai po e mbyllni karrierën politike si antishqiptarë dhe antidemokratë.

Në Shqipëri si kudo ka elektorat të djathtë dhe të majte. Mjerisht nuk ka parti të djathtë, por ka klan të Sali Berishës dhe të servilëve të tij, që vetquhen të djathtë. Kjo realisht është një autokraci, që pasurohet me pronat tona. Të njëjtat kritika i kemi drejtuar dhe ishkryeministrit Fatos Nano dhe klanit të tij që vetquhet i majtë, edhe ai ka grumbulluar pasuri kolosale dhe aktualisht po qëndron në heshtje. Kushdo e kupton se rruga e gabuar, kriza sociale dhe ekonomike, që sa vjen e keqësohet, nuk ka filluar me vjedhjen e votës në zgjedhjet e 2009 por ka filluar me mos kthimin dhe me vjedhjen e pronës së trashëguar pas vitit 1991.

Kur Politika Euroatlantike do të prononcohet për faktin se demokracia fillon me kthimin e pronës tek i zoti dhe do shprehet për parimin moral dhe demokratik që shkruhet në kushtetutën e SHBA, dhe në kushtetutat e të gjitha vendeve europiane, se prona e grabitur i kthehet të zotit, do bëhet e qartë pse Europa ka dështuar me popullin shqiptar. Nuk ]uditem që rrethi i spekullantëve të dr Saliut dhe Fatos Nanos, që janë zhytur në korrupsionin dhe vjedhjen e pronave do ketë fatin dhe përfundimin si të ish ministrave të korruptuar të Ismet Anoniut (Ataturku). Kjo do të jetë dhe fillimi i demokracisë dhe dënimi real i komunizmit në Shqipëri. Kthimi i pronës tek i zoti është e lehtë, nëse ky detyrim kushtetues i caktohet shtetit. Mbajtja pezull dhe vjedhja e pronës tonë, mashtrimi i strukturave të BE dhe Departamentit të Shtetit nga politikanët është e vështirë të shtyhet më gjatë. Ne jemi të sigurtë se Europa dhe SHBA do të reagojnë.
Këtë proces mund ta shpejtojë media duke ballafaquar pronarët me politikanët demagogë dhe hajdutë; mund ta shpejtojnë ambasadorët e trupit diplomatik dhe institucionet ndërkombëtare nëse dërgojnë në Shqipëri ekipe specialistësh të ndershëm dhe korrektë që të marrin kontakt edhe me Shoqatën e pronarëve dhe do të dëgjojnë edhe zërin tonë dhe jo si rasti i ekonomistit peruan De Soto, që defakto rekomandoi vjedhjen e pronave tona. Drejtimin e Shqipërisë në kahen e demokracsë, mund ta bëjnë dhe institucionet ndërkombëtare FMN, B. Botërore, USAID etj. Këto institucione do ta “shërojnë dhe shpëtojnë“ Sali Berishën nga korrupsioni, nëse kontrollojnë efektivitetin e fondeve që akordojnë për Shqipërinë dhe i kushtëzojnë këto fonde me detyrimin e Shtetit Shqiptar për të kthyer fizikisht pronën tek i zoti, duke korigjuar gabimet dhe transferimet e bëra pas vitit 1991, që bien ndesh me nenin 181 të Kushtetutës.
Dëshiroj të falenderoj gjithashtu gazetarët, analistët dhe median e lirë që po luajnë rolin kurativ, duke sensibilizuar politikën shqiptare dhe atë ndërkombëtare për mohimin që për 19 vjet po i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të gezuar pronën e trashëguar.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›