Si do të bëhet konfiskimi i pasurive të krimit
Artan CENA
TIRANË - Ngrihet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara. Vendimi është marrë gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e qeverisë. Gjithashtu është përcaktuar dhe shpërblimi i personave të tretë në administrimin e pasurisë. Siç bëhet e ditur, Agjencia ka për objekt të veprimtarisë së saj administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës, në zbatim të Ligjit Nr. 10192, i datës 3 dhjetor 2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Sipas të dhënave, agjencia do të merret dhe me administrimin e pasurive të bllokuara, të sekuestruara në bazë të ligjit “Për masat kundër financimit të terrorizmit”. Gjithashtu, ajo do të bëjë dhe administrimin e pasurive të tjera, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to, administrimi i të cilave i caktohet kësaj agjencie me ligj, me vendim të Këshillit të Ministrave apo me urdhër të veçantë të ministrit të Financave.
Detyrimet
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara do të bëjë dhe bashkëpunimin me institucionet pjesëmarrëse në procesin e administrimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara si me gjykatat, Prokurorinë, shërbimin përmbarimor, Policinë e Shtetit, institucionet e tjera shtetërore, bankat, njësitë e qeverisjes vendore dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, të sekuestruara e të konfiskuara. Ajo ka për detyrë dhe përgatitjen e raportit të vlerësimit tekniko-financiar, i cili miratohet nga ministri i Financave, në përputhje me pikën 2, të nenit 30, të Ligjit Nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Punonjësit e kësaj agjencie do të bëjnë verifikimin dhe përgatitjen e dokumentacionit për kërkesat për financimin e projekteve nga fondi i posaçëm, për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor, si dhe ndjek zbatimin e tyre në përputhje me pikën 4, të nenit 37, të Ligjit Nr. 10192, datë 3 dhjetor 2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Kreu i kësaj agjencie duhet të raportojë për veprimtarinë e saj, të paktën një herë në tre muaj, përpara Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të ekspertëve për masat kundër krimit të organizuar.
Të ardhurat nga konfiskimet
Siç bëhet e ditur në vendimin e Këshillit të Ministrave, administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përfshin, por pa u kufizuar, ruajtjen dhe përdorimin e këtyre pasurive për nxjerrjen e të ardhurave. Në këtë vendim thuhet se procedurat e mbledhjes dhe të administrimit të të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. “Shpenzimet dhe të ardhurat nga administrimi i secilës prej pasurive të sekuestruara e të konfiskuara llogariten për kohën gjatë së cilës janë marrë në administrim dhe evidentohen në kartela të veçanta të pasurisë në administrim. Çdo veprim regjistrohet në bazë të dokumentacionit ligjor përkatës. Në fund të çdo viti financiar, Agjencia përgatit dhe paraqet te ministri i Financave raportin përmbledhës financiar të veprimtarisë. Rregullat e hollësishme për mënyrën e mbajtjes dhe të evidentimit të shpenzimeve dhe të të ardhurave të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave”, shkruhet në vendimin e miratuar gjatë ditës së djeshme nga qeveria.
Kompetencat
Ligji Nr.10192 duket se u jep kompetenca funksionale vetëm prokurorisë dhe gjykatës për të sekuestruar pasuritë. Nuk mund të merret asnjë masë pa një vendim gjyqësor të kërkuar nga prokurori. Për më tepër, prokuroria nuk mund të kërkojë sekuestrimin e çdo pasurie të dyshimtë, për çdo person të dyshimtë, por vetëm pasuri të atyre personave që janë subjekte të këtij ligji. Të tillë janë vetëm ata persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar. Në ndryshim të qartë nga Ligji Nr.9284, 30.09.2004, ky ligj saktëson se masat parandaluese zbatohen ndaj pasurisë së personit që ka një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Dosjet
Më shumë se 20 dosje janë në shqyrtim dhe një pjesë e tyre janë referuar dhe pritet vetëm verdikti i gjykatës. Deri tani, për këtë periudhë, nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, nuk është marrë asnjë vendim nga gjykata. Janë ndryshimet e bëra në ligjin e mëparshëm ato që do të mundësojnë shtrirjen e fushës së zbatimit të tij edhe në tri vepra të tjera penale, të cilat nuk ishin përfshirë në Ligjin Nr.9284 të shfuqizuar tashmë. Përveç kësaj, edhe pesë ndryshime të tjera esenciale e bëjnë këtë ligj “të rreptë” në ndëshkimin e personave të dyshuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar dhe trafikim.
Kush mund të bëhet administrator i pasurisë
Administratori duhet, detyrimisht, të ketë arsim të plotë universitar në degët ekonomi dhe/ose juridik.
Detyrat e administratorit të pasurisë përcaktohen nga kryeadministratori, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e parashikuara në Ligjin Nr.10192 datë 3.12.2009.
Pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara, të cilat janë objekt i veprimtarisë së Agjencisë, merren në administrim sipas procedurave e përcaktuara në ligjet përkatëse dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre.
Administratori përgatit një plan shpenzimesh dhe të ardhurash për pasurinë/të në administrim të tij, të cilin e dorëzon për miratim te kryeadministratori i Agjencisë.
Administratori kryen raportimet e parashikuara me ligj, si dhe përgatit raporte të tjera, me kërkesë
6 Maj 2010