Burgaj: Për Bleonën kemi zgjedhur ekspertët më të mirë
Kreu i Policisë së Shtetit deklaroi dje se për gjetjen e vajzës 6- vjeçare nga Kukësi, po kryhen hetime intensive
TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga zhdukja e Bleona Matës, vogëlushes nga fshati Zapod i Kukësit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u shpreh dje se hetimet do të vazhdojnë pa ndërprerje për të patur rezultate konkrete.
Sipas tij, angazhimi i hetuesve më të mirë për zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së vogëlushes 6- vjeçare nga Kukësi, është bërë me qëllimin për të bërë më të mirën e mundshme.
Kreu i policisë shqiptare foli në lidhje me zhdukjen e Bleona Matës, pas një takimi të organizuar dje nga Garda e Republikës, me rastin e 82- vjetorit të krijimit të saj. "Për të bërë të mundur gjetjen e vajzës së zhdukur janë angazhuar ekspertët më të mirë të vendit.
Ekspertët e Policisë dhe të Prokurorisë janë vendosur në Kukës për të bërë më të mirën më të mundshme për të gjetur vajzën e zhdukur Bleona Mata,- tha kryepolici Hysni Burgaj.
Në kërkimin për gjetjen dhe hetimin e zhdukjes e 6- vjeçares Bleona Mata, janë angazhuar edhe policitë e vendeve fqinje të Kosovës dhe Maqedonisë, për t'iu ardhur në ndihmë kolegëve të tyre shqiptare për gjetjen e vajzës.
Ndërkohë, dy ditë më parë, në fshatin Zapod, ku jeton familja e vajzës së zhdukur kanë mbërritur ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorët që ndjekin çështjen e vajzës së zhdukur kanë rimarrë në pyetje prindërit e Bleona Matës, që rezulton e zhdukur që prej 22 majit të këtij viti.
Në pyetje janë marrë edhe të afërmit e familjes Mata, mes tyre edhe kushërirat e 6- vjeçares, që ditën e zhdukjes kanë qenë me të.
Bleona Mata, u zhduk më 22 maj të këtij viti, dhe që nga kjo datë nuk ka asnjë gjurmë për fatin e saj.
Ajo u zhduk në kohën që kishte qenë duke kullotur bagëtitë me hallën e saj dhe disa kushërira të tjera. Asnjë prej vajzave nuk rezulton të ketë dijeni mbi shkakun e zhdukjes së vajzës së vogël.
Këto të fundit kanë mohuar të kenë dijeni mbi zhdukjen e saj, pavarësisht disa deklarimeve kontradiktore të tyre në polici dhe në prokurori. Sipas dëshmive të familjarëve të së miturës, vajza e vogël ka qenë duke kullotur bagëtinë në një lëndinë rreth 500 metra larg shtëpisë, por nuk është parë më që nga ai moment.
Familja e vajzës, pasi vogëlushja 6-vjeçarje nuk u kthye në shtëpi, ka dhënë alarmin, duke kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e saj. Fotoja e saj është shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, ndërkohë që në hetimin e zhdukjes janë përfshirë edhe policitë e vendeve fqinje, Kosovës dhe Maqedonisë. Bleona Mata 6- vjeçare, banuese në Zapod të Kukësit, megjithë kërkimet e policisë, asnjë gjurmë e saj nuk është gjetur.