AMC-Festat, pranë shtresave sociale në nevojë
AMC, ashtu si edhe një vit më parë, do të jetë pranë fëmijëve të braktisur dhe të moshuarve të vetmuar gjatë festave të fundvitit, duke u krijuar atyre një mjedis sa më të ngrohtë e familjar në qendrat ku jetojnë. AMC do të ofrojë darkën e Vitit të Ri për fëmijët dhe të moshuarit e 14 qendrave në të gjithë vendin. Punonjësit e AMC do të festojnë së bashku me fëmijët dhe të moshuarit e vetmuar në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, Vlorë, Fier, Sarandë, Korçë dhe Gjirokastër. AMC ka përgatitur dhurata për fëmijët e 5 shtëpive të foshnjës, 3 shtëpive të fëmijës dhe 8 qendrave për të moshuarit në të gjithë vendin, sipas nevojave të gjithsecilit. Mbi 400 fëmijë dhe 400 të moshuar do t‘i gëzohen atmosferës festive që do të krijojë AMC, ku përveç dhuratave për të gjithë, do të ndihmojë edhe vetë institucionet që kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës në to. Ndërkohë AMC do të kujdeset edhe për fëmijët që në këto ditë festash ndodhen në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", duke përgatitur lodra dhe dhurata të tjera për ta. Si çdo fundvit, AMC do të jetë gjithashtu edhe pranë fëmijëve të policëve të rënë në krye të detyrës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, AMC do të organizojë mbrëmjen festive posaçërisht për ta plot me surpriza e dhurata. Edhe gjatë vitit 2009, AMC do të vazhdojë të japë kontributin e saj të gjithanshëm si në projekte sociale, ashtu edhe në aktivitete të ndryshme në vend, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e një mjedisi shoqëror energjik.