E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastrës, grevistët e urisë refuzojnë dëmshpërblimin

Burrat e 13 familjeve gjirokastrite që janë ngujuar prej katër ditësh në grevë urie për të kërkuar dëmshpërblimin e banesave të shkatërruara më 9 nëntor kanë refuzuar dëmshpërblimin financiar të qeverisë dhe kanë vendosur të vazhdojnë grevën. Dje, në ditën e tretë të grevës, të ngujuarit u njohën me një dokument që titullohet "Tabelë e vlerësimeve për efekt të dhënies së ndihmës financiare familjarëve të cilëve u janë dëmtuar banesat nga shembja e pallatit në Gjirokastër", dokument i cili u dorëzua te grevistët nga kryetari i PD-së së rrethit të Gjirokastrës, Bexhet Çobani. Të pakënaqur nga çmimi 28,024 lekë për metër katror, ata deklaruan nëpërmjet grevistit Axhem Mene se e konsiderojnë papërgjegjësi totale, tallje, shpërfillje dhe indiferencë të shtetit ndaj tragjedisë më të madhe që mund të pësojë një familje. Të zhgënjyer nga kompensimi financiar që për 5 familje me sipërfaqe banimi 116,1 M2 me çmimin 28,024 lekë për metër katror, llogaritet 3.253 milionë lekë, ndërsa për 9 familje me sipërfaqe banimi me 85,1 m2, llogaritur me të njëjtin çmim, vlera financiare e përfitimit shkon në 2,485 lekë. Ndërsa, 4 familje të tjera që banonin në pallatin e rrëzuar me qira, familjet me kryefamiljar Shkëlqim Hunda, Besnik Abazi, Fejzi Aliu dhe Migjen Nushaj, nuk do të mund të përfitojnë gjë tjetër përveçse nga 400 mijë lekë për kompensimin e vlerës së orendive të humbura gjatë rrënimit të apartamenteve të tyre. Grevistët e urisë e konsiderojnë tallje dhe injorim vlerën e caktuar për orenditë, por më e habitshme për ta është fakti që, nga 18 familje të prekura nga tragjedia, tetë janë shpërblyer me nga 500 mijë lekë, ndërsa 10 të tjerat me nga 400 mijë lekë për orenditë. Shuma e përgjithshme e ndihmës financiare për humbjet e 18 familjeve, sipas kësaj tabele është gjithsej 46,247 mijë lekë të reja.

Në tri ditët e para të grevës së tyre, 13 persona të ngujuar kanë qëndruar në një barakë që ka shërbyer si garazh i dikurshëm i një prej banorëve të këtij pallati, por në vazhdim ata bënë të ditur dje se do të ngujohen nën rrënojat e tij ku kanë mundur të çelin një vrimë për të hyrë në një hapësirë të ngushtë të krijuar nga muret dhe tarracat e betonit të shembur. Viktimat e kësaj tragjedie janë shprehur se nuk do të dalin nga greva derisa të plotësohen kërkesat e tyre deri në fund. "Do të vdesim nën rrënojat e shtëpive tona dhe nuk do të dalim prej aty derisa të shpërblehemi për të gjitha humbjet, sipas dosjes që u përgatit nga zyra e emergjencave të qarkut, Bashkisë dhe Prefekturës në Gjirokastër", tha për SHQIP grevisti Vullnet Sinani.

"Nuk mund të pranojmë që të vazhdojnë të tallen me ne ata që na groposën për së gjalli me njerëz, shtëpi e katandi. Nëse nuk marrim atë që humbëm, atë që e kemi krijuar me mund e sakrificë gjatë gjithë jetës, ne do të pranojmë të vetësakrifikohemi që gjithë bota ta mësojë se si abuzohet me qytetarët në Shqipëri dhe si njerëzit e korruptuar që shkaktuan vdekjen e 3 njerëzve dhe shkatërrimin e jetës së rreth 70 njerëzve të tjerë, nuk kanë turp të tallen me viktimat e tyre", tha Bime Braho, një nga të ngujuarit.

Në ditën e tretë të grevës gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar, por më keq është paraqitur gjendja e grevistit Hadër Haska, i cili është dërguar me ambulancë në spital. Ndërkohë, në mjediset e grevës janë paraqitur edhe familjarët e viktimave që humbën jetën në këtë tragjedi, por ata nuk janë lejuar të hyjnë në grevë nga grevistët e tjerë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›