E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja klinike e sindikatave

Aktualisht kemi në dorë ligjin mbi Këshillat e Punëmarrësve, të cilët do të kryejnë rolin e sindikatave (brenda dy viteve), do të mbrojnë të drejtat e punëmarrësve lidhur me pagat, fitimet, sistemin e pensioneve, meqë sindikatat në Shqipëri janë "privatizuar".

Ligji "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare", i miratuar para tetë muajsh nga Parlamenti, parashikon krijimin e Këshillave të Punëmarrësve, si dhe përcakton kompetencat këshilluese e informuese për çështjet më me rëndësi për shoqërinë.

Punëmarrësit e një shoqërie tregtare, e cila ka më shumë se 50 punëmarrës, krijojnë këshillin me mandat maksimal prej 5 vitesh. Funksionet e një shoqërie tregtare, e cila ka mbi 20 punëmarrës, por më pak se 50, kryhen nga një përfaqësues për çdo 10 punëmarrës, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga Asambleja e Punëmarrësve të shoqërisë. Asambleja zgjedh një përfaqësues të ri për çdo 20 punëmarrës shtesë të shoqërisë. Në çdo rast, Këshilli i Punëmarrësve nuk mund të ketë më shumë se 30 anëtarë. Ky organ mund të nxjerrë rregullore të brendshme për të organizuar procedurat e veta. Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i shoqërisë tregtare dhe Këshilli i Punëmarrësve mund të bien dakord që të emërojnë persona për të përfaqësuar punëmarrësit në nivelin e administrimit. Nga ana tjetër, Këshilli monitoron zbatimin e ligjeve dhe të kontratave kolektive, si dhe të dispozitave të statutit të shoqërisë (firmës), e gjithashtu përfaqëson interesat e punëmarrësve të shoqërisë.

Këshilli merr pjesë në vendimmarrjen për shfrytëzimin e fondeve të posaçme dhe të aktiveve të tjerë të shoqërisë, të parashikuara në kontratat kolektive e në statut, si dhe në shpërndarjen e pjesës së fitimeve, që Asambleja e Përgjithshme vendos t‘ua shpërndajë punëmarrësve. Këshilli, gjithashtu, mund të informojë veten drejtpërdrejt për paraqitjen e shoqërisë tregtare dhe të shikojë librat e dokumentet e shoqërisë, duke u dhënë mendime dhe sugjerime organeve drejtuese për çështje si, pagat, ndryshimin e statutit, sistemin e pensioneve etj.

Këshilli i Punëmarrësve i raporton asamblesë së shoqërisë për veprimtarinë e vet, të paktën dy herë në vit, ose sa herë e kërkon shumica e punëmarrësve. Kostot e zgjedhjes dhe të funksionimit të Këshillit të Punëmarrësve mbulohen nga shoqëria tregtare. Përcaktohet qartë edhe regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Për sa më lart, duket se formulimi i ri do të sjellë dhe një sfidë për sindikatat e krijuara në vitin 1991. Në kushtet shqiptare, ky ligj e dobëson edhe e anatomon lëvizjen sindikale. Ky ligj ka vlera për sindikatat e konsoliduara të Evropës e më gjerë. Në parantezë, ky është modeli gjerman. Vetë Kryeministri Sali Berisha e di si u krijuan sindikatat, përse u dobësua roli i tyre dhe a kanë të drejtë të mbijetojnë në këtë treg të trazuar të OJF-ve. Për të qenë korrekt, shumë organizata janë krijuar, ka çoroditje se me kë duhet të bashkëpunohet, por mbi të gjitha ka institucione, si për shembull Këshilli Kombëtar i Punës, që vendosin se cili është përfaqësuesi.

Po t‘u rikthehemi viteve që nga krijimi i sindikatave, me lehtësi mund të konstatohet se gjatë gjithë periudhës së veprimtarisë së tyre ka pasur çoroditje dhe dobësim të qëllimshëm të lëvizjes sindikale nga titullarët ekzekutivë me të drejtë firme mbi pagat e kolegëve që punojnë me sindikatat. Por edhe dobësi të tjera, që reflektohen edhe në nivelin e tyre të përfaqësimit.

Të ndarë sipas profesioneve, të grupuar sipas modelit të tyre, sindikatat nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët. E thënë më thjeshtë: aty ku ka probleme, qoftë edhe në një ndërmarrje të vetme, të gjithë bashkë për të arritur qëllimin për më shumë kushte e siguri në punë, për paga më të larta etj. Një fenomen tepër negativ, që ka shoqëruar në vite "avokaten e punëmarrësve", ka qenë devijimi nga sindikatat e vërteta në pseudosindikata, apo e shprehur në fjalorin e Organizatës Botërore të Punës (ILO), sindikatat e "verdha", që kanë dhunuar të drejtat e punonjësve, ndërsa ndarja në dy fronte (me qeverinë ose kundër saj) e ka dëmtuar në themel lëvizjen sindikaliste shqiptare.

Në Shqipëri u krijuan në vitet e para të pluralizmit mbi 65 sindikata, të cilat e copëtuan lëvizjen e punëtorëve. Kjo e fundit pati në themel mbrojtjen e interesave social-ekonomike. Por cili është shkaku i copëtimit? Me siguri, egoizmi i "njësh"-it, domethënë mungesa e demokracisë dhe sulmi ndaj të aftëve. Kushdo e ka më se të qartë, se të gjithë pushtetarët dhe mbarë shoqëria civile e ka shumë të vështirë të përmendë emrin "sindikatë", që në botën e qytetëruar dhe me shumë demokraci, është gjëja më e shenjtë për punëtorët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›