AMC-ja sponsorizon KOKSH-in për në Kinë

AMC-ja do të mbështesë financiarisht përfaqësimin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Pekin 2008. Kompania më e madhe e telefonisë celulare në vend do të kontribuojë gjithashtu edhe në projektet e rëndësishme që do të realizojë gjatë këtij viti Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Presidenti i KOKSH-it, Hysen Domi, si dhe drejtori Ekzekutiv i AMC-së, Stefanos Oktapodas, nënshkruan për këtë qëllim dje dhe një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Presidenti i KOKSH-it, Domi, e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që AMC-ja i jep sportit në Shqipëri dhe kontributin që po jep për ta cuar në një nivel të ri Lëvizjen Olimpike Shqiptare, në mënyrë që t'i bashkëngjitet edhe lëvizjeve të familjes së madhe botërore. Drejtori Ekzekutiv i AMC-së, Stefanos Oktapodas, pasi falenderoi drejtuesit e KOKSH-it për bashkëpunimin, theksoi se për kompaninë që ai përfaqëson është mjaft e rëndësishme nxitja e vlerave më të mira sportive. "AMC-ja nuk do të jetë një mbështetëse e thjeshtë financiare e KOKSH-it, por është dhe do të jetë një mbështetëse komplekse, duke u përfshirë në shumë projekte", - tha Oktapodas.
AMC-ja, pas bashkëpunimit të suksesshëm me skuadrën olimpike shqiptare në Olimpiadën "Athinë 2004", mbështet përsëri këtë skuadër, duke u bazuar në përgjegjshmërinë e saj sociale për të përkrahur vlerat më të mira, si dhe për të nxitur kulturën sportive në vend.