E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hafizi: “Shkarkimi im, i padrejtë”

Ish-trajneri i Tiranës, Astrit Hafizi, i shkarkuar urgjentisht pas barazimit të vështirë 2-2 me Elbasanin në javën e 18-të Kategorisë Superiore e konsideroi si të padrejtë vendimin e donatorëve të Tiranës.
Astrit Hafizi, i cili e pranoi detyrën pas shkarkimit të Sulejman Starovës dhe Ardian Memës (të komanduar), tha: "Vendimi i donatorëve nuk ka të bëjë fare me rezultatet e mia si trajner i skuadrës, sepse unë ato i konsideroj pozitive".
Tekniku shkodran arriti t'i japë një impuls pozitiv fillimit më të keq të Tiranës në 25 vitet e fundit, duke koleksionuar në 14 takime të drejtuara prej tij 7 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, ku spikat pa dyshim fitorja 2-0 me Dinamon kryesuese. Humbja 4-1 me Vllazninë dhe barazimi 2-2 me Elbasanin, por sidmos fakti që 23-herë kampionët ndodhen 11 pikë larg Dinamos ishte dhe faktori kryesor që rrëzoi trajnerin simpatik.
"Kam dhënë maksimumin tim si trajner dhe e mendoj si të padrejtë shkarkimin tim dhe emocional nga ana e drejtuesve bardheblu", - përfundoi Astrit Hafizi, i zëvendësuar të dielën në mbrëmje nga Sulejman Mema. Besohet se Astrit Hafizi përfitoi 25 milionë lekë të vjetra gjatë kohës që drejtoi Tiranën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›