Enco Malindi, magjia dhe problemet vazhdojnë

"Rrebeli" Enco Malindi vazhdon të mahnisë me paraqitjet e tij presidentin e Slavias, Venislav Stefanov, ndërkohë që presidenti i Partizanit, Albert Xhani, i mbahet qëndrimit të linjës së ashpër ndaj sulmuesit duke këkuar që lojtari të kthehet urgjentisht në Shqipëri.
Talenti i "demave" edhe të mërkurën ishte pjesë e formacionit të ekipit bullgar në miqësoren e Sllavias kundër skuadrës koreane FC Seul, takim i luajtur në Turqi dhe që u mbyll në barazim 1-1.
Presidenti Stefanov pohoi për faqet sportive bullgare se kishte mbetur i kënaqur nga loja e Malindit dhe Zoran Beloshovic dhe se do të vazhdonte tratativat me klubin shqiptar për të blerë kartonin e futbollistit.
"Enco ka treguar karakter për 90 minuta. Është goditur nga kundërshtarët me bërryla në fytyrë, shkelma, por nuk është dorëzuar", - tha për Albania-sport.com menaxheri i lojtarit, Rudi Vata, pas bisedës me bullgarin Pavlin Panayotov, menaxherin e Slavias, i cili ishte i pranishëm në ndeshje.
"Enco dha edhe asistin e golit, dhe kjo është një tjetër plus për të. Mund të them plotësisht se ai ka kaluar provën dhe pritet vetëm biseda përfundimtare e Slavias me presidentin Xhani", - shton Vata, duke pohuar se skuadra nga Seuli është ndër më të fortat në Kore dhe ka një buxhet të madh financiar.
Enco Malindi shënoi golin e parë për fanellën e Slavias në miqësoren kundër Sportist Svego (1-1), gol i realizuar në minurtën e tretë të atij takimi.