AMC mbështet javët gjermane në Shqipëri
Ambasada Gjermane ka prezantuar në një konferencë për shtyp programin e aktiviteteve të Javëve Gjermane në Shqipëri, të cilat zhvillohen tashmë për herë të pestë radhazi. Gjatë konferencës për shtyp znj. Carola Müller-Holtkemper, ambasadore e Gjermanisë në Tiranë, tha para mediave: “Kemi vendosur që edicioni i pestë i ‘Tetorit Gjerman’ të jetë një risi: për vitin 2011 ‘Tetori Gjerman’ trajton, nën leitmotivin ‘Klimë - Energji – Ndryshim’, tema të së ardhmes, sikurse janë ndryshimet klimaterike, energjitë e rinovueshme dhe eficenca e energjisë.”. Garantimi i një furnizimi energjetik të besueshëm, ekonomik dhe të pajtueshëm me mjedisin është një ndër sfidat më të mëdha të shek. XXI. Bashkëpunimi ekonomik gjerman, në koordinim me qeverinë shqiptare, do të përqendrohet ndër të tjera në sektorët e furnizimit me energji elektrike dhe mjedisit, përfshirë këtu ujësjellës-kanalizimet. Në fund të fjalës së saj znj. Carola Müller-Holtkemper falenderoi të gjithë sponsorët dhe partnerët, të cilët kanë dhënë kontribut në realizimin e ‘Tetorit Gjerman’. Menaxheri i Marrëdhënieve të Korporatës në AMC, zoti Nikos Parastatidis, tha se “AMC mbështet për të tretin vit ‘Tetorin Gjerman’ në Shqipëri. AMC, si pjesë e grupit Deutsche Telekom, ka kënaqësinë të bëhet pjesë e këtij shkëmbimi kulturor, i cili përkrah vlerat e përbashkëta që ndajmë të gjithë. Shohim me gëzim se ‘Javët e kulturës gjermane’ tashmë janë bërë traditë, si dhe një mundësi e shkëlqyer për t’u takuar dhe kaluar çaste të bukura.” Zëdhënësi i ambasadës, zoti Harald Schindler, prezantoi kalendarin dhe përmbajtjen e aktiviteteve që do përbëjnë këtë vit ‘Tetorin Gjerman’.