E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i lekut ulet sot me 0.25%

Banka e Shqipërisë do të aplikojë sërish uljen e çmimit të lekut, si mjeti themelor për nxitjen e kreditimit të ekonomisë dhe nga ana tjetër uljen e kostove të borxhit në tërësi. Burimet nga Këshilli i Mbikëqyrjes bëjnë me dije se gjatë mbledhjes së sotme norma bazë e interesit do të ulet në 5 për qind nga 5.25%. Në një kohë kur çmimet paraqiten disi të stabilizuara, Banka e Shqipërisë do të aplikojë uljen e kostos së parasë si një mënyrë për të çliruar konsumin në ekonomi, i cili ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit. Burimet në Bankën Qendrore bëjnë me dije se banka do të ndërhyjë për të ulur normën, bazën e interesit vetëm pasi të ketë konsultuar më parë ekspertizat e saj në lidhje me zhvillimet reale në ekonomi dhe tregjet financiare. Ulja e çmimit të parasë nga Banka Qendrore bëhet për të çliruar kredinë për ekonominë për shkak se kjo ulje i detyron bankat të ulin interesat e kredisë në lekë. Mirëpo, shumë ekspertë tregohen skeptikë me faktin se ulja me 0.25% është me një përqindje shumë të vogël, çka do të bënte të pamundur çlirimin e nevojshëm të kredisë për ekonominë. Gjithashtu, edhe bankat e nivelit të dytë e konsiderojnë të pamjaftueshme këtë ulje, duke kërkuar një përqindje më të madhe. Misioni i FMN në të gjitha vizitat e fundit në vendin tonë i ka rekomanduar Bankës Qendrore që të jetë me fleksibël me politikën monetare, në mënyrë që të nxisë kreditimin për ekonominë. Të dhënat më të fundit monetare konfirmojnë ecurinë e ngadaltë në kreditimin e ekonomisë dhe kontributin e ulët që ka dhënë financimi i sektorit privat në ekspansionin monetar. Ecuria e kredisë për sektorin privat vazhdon të kushtëzohet nga një kërkesë e dobët e sektorit privat për kredi dhe nga sjellja e kujdesshme e bankave në kredidhënie. Megjithëse përmirësimi i bilanceve të bankave dhe i treguesve të tyre të likuiditetit ka zgjeruar hapësirat për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë nga sistemi bankar, rreziku ende i lartë i kredisë dhe pasiguritë për ecurinë e ekonomisë në të ardhmen vazhdojnë të kushtëzojnë një sjellje konservatore të bankave në kredidhënie, ndonëse më të zbutur se në vitin 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›