AMC më e shtrenjta në treg, AKEP favorizon kompanitë celulare
Kompanitë e telefonisë celulare aplikojnë tarifa shumë të shtrenjta për abonentët me parapagesë, sesa vendet e BE. Këto kompani duke qenë se kanë ruajtur hegjemoninë në treg dhe kanë një klientelë të garantuar, vazhdojnë të kenë
çmime skandaloze dhe të shtrenjta duke abuzuar me pozitën monopol që kanë në treg. Kompania AMC duke qenë se ka të garantuar mbi 1 milionë abonentë ka arritur të sigurojë mbështetje edhe nga AKEP, i cili është bërë palë me të. AKEP ka shtyrë disa herë portabilitetin e numrave që duhet të garantonin kompanitë celulare, duke favorizuar pozitën e tyre dominuese në treg, ku favorizimi dhe klientelizmi janë të dukshme nga përfaqësuesit e shtetit për kompaninë AMC. Kjo kompani, duke qenë kompania e parë celulare në Shqipëri, ka krijuar pozitën dominuese në treg dhe është kompania që ka numrin më të madh të klientëve. Gjithashtu këto kompani vazhdojnë të ruajnë çmimet më të larta në rajon dhe në shumë vende të BE. Kështu, tarifat më të shtrenjta në treg i ka kompania AMC, 37 lekë për minutë në të gjitha thirrjet nacionale. Më pas vjen kompania Vodafon me 29. 9 lekë për minutë për njëjtin shërbim dhe operatori Eagle Mobile tarifon me 25 lekë për minutë thirrjet drejt dy rrjeteve të tjera që operojnë në vend. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, i cili është institucioni përgjegjës për rregullimin e tregut dhe minimizimin e kostos së thirrjeve telefonike për abonentët iu hedh hi konsumatorëve në lidhje me tarifat. Ky institucion është bërë palë me operatorët telefonikë, pasojat e të cilave i paguajnë konsumatorët shqiptarë. Në një njoftim zyrtar AKEP bën të ditur se krahasimi i çmimit mestar për minutë në Shqipëri me vendet e BE, tregon se ky çmim është më i ulët se mesatarja në vendet e BE. Sipas AKEP kostoja për minutë është 12-15 lekë në Shqipëri krahasuar me 15 Euro cent në vendet e BE. Një tjetër ngërç me pasoja për konsumatorët është edhe protabiliteti i numrit, i cili ju mundëson abonentëve të zgjedhin kompaninë pa ndryshuar numrin. Por AKEP ka shtyrë afatin për portabilitetin e numrit edhe 6 muaj në favor të operatorëve celular.
Tarifat
Kompania e telefonisë celulare AMC mbulon me shërbim rreth 40 për qind të abonentëve në shkallë kombëtare, të cilët tariforen 12 lekë për minutë më shumë se abonentët e kompanisë Eagle Mobile në thirrjet me parapagesë ndërmjet dy rrjeteve. Operatori Eagle Mobile mbulon 20 për qind të abonentëve me parapagesë të telefonisë celulare në vend dhe pjesa tjetër, rreth 40 për qind mbulohet nga kompania Vodafon, e cila ka zgjedhur të operojë në treg me çmim të ndërmjetëm. Por në të gjitha rastet kostot bien mbi përdoruesit e rrjeteve të telefonisë celulare. Abonentët shqiptar paguajnë dyfishin e vlerës për një thirrje kombëtare krahasuar me abonentët e telefonisë celulare në Itali. Kompania Vodafon në Itali tarifon me 19 cent, ose 20 lekë për minutë, klientët e saj. Ndërkohë që ky raport thellohet edhe më tej po të krahasojmë të ardhurat për frymë që merr një shtetas shqiptar me një shtetas italian. Nga ana tjetër fitimet e kompanive të telefonisë celulare në vend shënojnë shifra rekord po të krahasojnë dhe kostot me të cilat përballen kompanitë celulare në dy vendet.
AKEP
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike bën të ditur zyrtarisht se shpenzimet për shportat sipas tre operatorëve celularë variojnë nga 30 për qind më të ulëta në 35 për qind më të larta se niveli mesatar i vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas të njëjtave burime mësohet se vlerat mesatare të shpenzimeve të tre operatorëve celularë sipas shportave respektive variojnë nga 12 për qind më të ulëta në 20 për qind më të larta se niveli mesatar i vendeve të BE dhe 35-57 për qind më të ulëta se vlerat maksimale të shpenzimeve në vendet e BE.
Sipas AKP ecuria e tarifave celulare në periudhën 2007-2009, tregon se janë bërë reduktime të ndjeshme të tarifave si pasojë e implementimit të metodologjisë së rregullimit të tarifave të AMC dhe Vodafon dhe konkurrencës më të lartë midis tre operatoreve aktualë në treg. Sipas AKEP hyrja në treg e Eagle Mobile ka pasur ndikim pozitiv të konsiderueshëm në treg, në konkurrencën midis operatorëve, si dhe në rritje të përfitimeve të konsumatorëve nga përdorimi i shërbimeve celulare, në terma të rritjes se numrit të abonentëve celulare dhe në tarifa më të ulëta. Niveli i tarifave celulare në Shqipëri i është përafruar ndjeshëm nivelit mesatar të vendeve të BE dhe të rajonit.
AMC
Thirrjet drejt rrjeteve celulare (Vodafon, Eagle Mobile) 37 lekë/ minutë
Vodafon
Thirrjet drejt rrjeteve celulare (AMC, Eagle Mobile) 29.90 lekë/minutë
Eagle Mobile
Thirrjet drejt rrjeteve celulare ( AMC, Vodafon) 25 lekë/ minutë
TIM
Thirrjet drejt rrjeteve celulare në Itali 19 cent/ minutë (26 lekë)
Vodafon
Thirrjet drejt rrjeteve celulare në Itali 18 cent/ minutë (24.5 lekë)
WIND
Thirrjet drejt rrjeteve celulare në Itali 19 cent/ minutë (26 lekë)
TIA akuzon AKEP për favorizim të kompanive të telefonisë celulare
Zbatimi i ligjit për portabilitetin e numrave celularë është mbajtur peng nga AKPEP. Transparency International Albania shpreh shqetësimin për vonesën e zbatimit të portabilitetit të numrit. Në një komunikim me mediat, drejtues të shoqatës, bënë publike kërkesën për informacion që i kanë drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për punën që po bëhet për mundësimin e portabilitetit. Sipas përfaqësuesve të TIA-s janë cenuar të drejtat e abonentëve për transferimin e kompanisë celulare pa ndryshuar numër. Sipas tyre, kryeja e transferimit do të sjellë ulje të ndjeshme të kostos së thirrjeve telefonike në rrjetin celular.
Ornela Manjani