E Diel, 1 Nëntor 2026

AMC shpall fituesit e fotove më të mira të 2008-s me celular

21/01/2009  Tre çmime fituese

AMC çeli ekspozitën e fotografisë së realizuar me aparat celular. Për herë të parë dje në Galerinë FAP, pranë Akademisë së Arteve, u ekspozuan punët më të mira, dalë nga Konkursi i Përvitshëm AMC i MMS-ve. Ky konkurs u fokusua në fotot më të bukura të vitit 2008, të bëra me celular. Konkursi u zhvillua në Facebook, rrjeti social mjaft i njohur dhe masiv kohët e fundit, në bashkëpunim me grupin “Fotografia, pasioni i përjetshëm”. Pjesëmarrësit e shumtë dorëzuan mbi 250 fotografi nga datat 1 deri më 30 nëntor, muaj gjatë të cilit u zhvillua konkursi. Pjesëmarrës kanë qenë të gjithë anëtarët e grupit, të pasionuar pas fotografisë dhe miqtë e AMC në Facebook. Fotot fituese u përzgjodhën nga një juri fotografësh profesionistë, të cilët dhanë edhe vlerësimet individuale për secilën nga fotografitë e paraqitura në konkurs. Juria përzgjodhi 10 fitues, të cilët u nderuan me çmime të veçanta. Të pranishmit u njohën me 10 fotografitë më të mira, si dhe me të gjitha fotot e tjera që u ekspozuan në një mënyrë të veçantë. 10 fotografitë e para u ekspozuan në muret e galerisë, ndërsa 240 fotot e tjera u videoprojektuan. Me çmim të parë u nderua Nesa Llapashtica, me çmim të dytë Isli Islami dhe me çmim e tretë Vasjan Golka. Për tre vendet e para kompania AMC dhuroi nga një aparat celular Nokia 6500 Classic, ndërsa për 7 fituesit e tjerë AMC dhuroi deri 2 orë kohë bisede falas për secilin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për dy ditë me radhë, 20 dhe 21 janar, në galerinë FAP, pranë Akademisë së Arteve. AMC është aktive në rrjetet sociale më të përhapura, Facebook, YouTube dhe Flickr, ku poston fotografi nga aktivitetet e organizuara prej saj, nga koncertet, jep informacion për aktivitetet e ardhshme, publikon videoklipe dhe u bashkohet grupeve me interesa të përbashkëta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›