E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, PD-ja dhe juristët qëndrime të ndryshme

21/01/2009  Ankimi për ligjin e dosjeve

Çështja e shqyrtimit të ligjit të lustracionit në Gjykatën Kushtetuese duket se ka hapur një debat mes deputetëve demokratë dhe juristëve të pavarur. Në një kohë që demokratët shprehen se kjo gjykatë nuk duhet të shqyrtojë ligjin e dosjeve për juristët shqyrtimi në Kushtetuese është më se i drejtë dhe i motivuar ligjërisht, nëse do të ketë ankimime. Partia Demokratike përmes zëdhënësit të grupit parlamentar Aldo Bumçi ka paraqitur shembujt e ndjekur në SHBA në argumentet se Gjykata Kushtetuese nuk mundet të shqyrtojë ligjin e dosjeve. Deputeti Bumçi ka hequr paralele nëpërmjet një rasti të gjykatës së Apelit në SHBA, ku për shkak të konfliktit të interesit të gjyqtarëve u bllokua shqyrtimi i një çështjeje kundër aparteidit. "Konfliktet e interesit, financiare dhe personale, të 4 gjyqtarëve të Gjykatës Supreme e lanë gjykatën pa kuorum dhe të paaftë për të vendosur nëse do të merrnin në shqyrtim një ankese të depozituar kundër më shumë se 50 kompanive që kishin bërë biznes në Afrikën e Jugut në kohën e aparteidit”, - tha Bumçi. Ndërkohë, duke iu referuar ligjit shqiptar për Gjykatën Kushtetuese, Bumçi tha se neni 72, pika 2 e ligjit thotë se vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve. “Kjo do të thotë që të respektosh shtetin ligjor brenda kornizave të ligjit", - u shpreh Bumçi. Ndërkohë juristi Gent Ibrahimi është shprehur se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta shqyrtojë ligjin për dosjet, nëse do të ketë ankesa nga partitë politike. “Nuk mund të ketë konflikt interesi në radhët e anëtarëve të Gjykatës për sa kohë nuk është ngritur komisioni që ta vërtetojë këtë konflikt”, - është shprehur Ibrahimi, duke kundërshtuar në këtë mënyrë pretendimet e demokratëve. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka të drejtën ligjore ta shqyrtojë ligjin për hapjen e dosjeve, madje edhe të përmbysë përfundimisht propozimin e mazhorancës. Ibrahimi thotë se vendimmarrja është fakti më i rëndësishëm që i qëndron fort mendimit se mes 9 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk ka konflikt interesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›