E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMENDAMENTET QE PO TRONDISIN STABILITETIN

Në prill të vitit të kaluar, dy partitë më të mëdha politike, PD dhe PS, të mbështetur edhe nga "ndërkombëtarët", ndërmorën një reformë thelbësore të Kushtetutës së Republikës, në emër të shmangies së krizave të panevojshme politike, forcimin e "stabilitetit" politik në vend. Sot, kur kanë kaluar mbi një vit e gjysmë nga ajo "reformë" e përshëndetur edhe si "konsensusi më i madh" i tranzicionit, stabiliteti nuk po duket gjëkundi dhe vendi ka hyrë në një nga krizat më të thella dhe më të zgjatura politike. Por askujt nuk i shkon ndërmend që të bëjë një lidhje mes krizës së sotme dhe atyre amendamenteve që u shpallën gjithë pompë se do të sillnin më shumë stabilitet në kurriz edhe të lirisë dhe ndarjes së pushteteve. Koha po provon se mendimi i Kushtetutës qe një akt krejtësisht i gabuar, që po i sjell përfitime vetëm autoritaristit në pushtet, Sali Berisha.

***

Proceset politike në Shqipëri nuk kanë vuajtur, të paktën deri më sot, nga që liderë të dobët janë ndodhur para presioneve demokratike të masave. Shkaku i krizave ka qenë, përgjithësisht, krejt e kundërta. Ato janë nxitur nga liderë arrogantë jo vetëm të pakundërshtuar por edhe të mbështetur fuqimisht nga masa fanatike. Kjo ka qenë dhe mbetet veçoria e Shqipërisë pra, jo lidershipi nën presionin e masave por masat nën tutelën e lidershipit. Kjo lloj analize të jep mundësi të kuptosh sesa i gabuar është zbatimi strikt në Shqipëri - gabim që mjerisht e kanë bërë dhe këmbëngulin ta bëjnë "ndërkombëtarët" - i recetave për zbutjen e ekseseve të demokracisë në vende të tjera në tranzicion. Sepse ndërsa atje zbatimi i atyre recetave shpie në fuqizimin e liderëve apo qeverive të dobësuara përballë presionit të fuqishëm të demokracisë, në truallin politik shqiptar ato kanë fuqizuar edhe më shumë liderë me prirje autokratike si Sali Berisha përballë një demokracie të dobët dhe pa presionin e duhur. Dhe liderë gjithnjë e më të fuqishëm, përballë masave të nënshtruara që tradicionalisht rrinë squk para pushtetit, e kanë shumë lehtë që, aq më tepër në kushtet e mungesës së balancave korrektuese institucionale, ta degjenerojnë demokracinë në demokraturë.

***

Tashmë shikohet qartë se për të forcuar stabilitetin është përdorur medikamenti i gabuar, duke fuqizuar pikërisht ata që janë zembereku i palodhshëm i krizave, liderët autoritaristë. Një ilaç i tillë ishin dhe amendamentet e Kushtetutës veçanërisht, ai që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidenti të Republikës. Rrjedhimisht edhe pse më pak i votuar se në vitin 2005, Berisha u rikonfirmua në krye të një pushteti edhe absolut se më parë. Ndonëse u mbajt në pushtet nga votat e një partie të majtë si LSI, Kryeministri Berisha refuzoi kategorikisht kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave në disa zona elektorale. Arroganca e Berishës shpërtheu me një fjalor të egër, banal dhe sharjesh personale ndaj liderit të opozitës Edi Rama, veçanërisht pas një proteste madhështore (ndoshta më e madhja deri atëherë në 20 vitet e tranzicionit shqiptar) të organizuar nga PS. Kryeministri refuzon të hapë kutitë, edhe pse është e qartë se ato mbahen mbyllur në dhunim të ligjit nga një gjykatë e kapur prej Berishës. Pamja është krejtësisht groteske! Një Berishë që ka nëpërkëmbur sa ka mundur gjykatat dhe gjykatësit mbrohet sot duke "shenjtëruar" një vendim gjykate. Nga buron forca e kësaj arrogance? Përgjigjja është e thjeshtë: Tek amendimi i Kushtetutës, që i jep mundësi ta zgjedhë Presidentin e Republikës edhe me 71 vota dhe pra, jo domosdoshmërisht në konsensus me opozitën. Si asnjë Kryeministër tjetër më parë Berisha, i rikonfirmuar në pushtet me paterica, nuk ka më prapa shpatullave kërcënimin e zgjedhjeve të parakohshme pas dy vjetësh. Gjërat do të shfaqeshin krejt ndryshe nëse në fuqi do të ishte ende neni i Kushtetutës, që detyronte zgjedhjen e Presidentit me 3/5-tat ose ndryshe, vendi duhej të kalonte në zgjedhje të parakohshme. Do të kishim një Berishë më të prirur për t‘u marrë vesh me opozitën. Pushteti i një Kryeministri kufizohet, bashkë me të edhe arroganca e tij, edhe nëpërmjet klauzolave kushtetuese si ajo që impononte konsensus me opozitën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Nëse ai nen i Kushtetutës do të ishte ende në fuqi, jo vetëm që Berisha do të ishte shfaqur më pak arrogant, por edhe opozita nuk do të kish pasur ndoshta nevojë fare të bojkotonte Kuvendin. E sigurt se do të mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme pas dy vjetësh, kur të vinte momenti i zgjedhjes së Presidentit, ajo mund të shkonte në Parlament me shanse më të mëdha për të imponuar propozimet e saj. Shkurt mungesa e atij neni që u amendua si një "gjetje" për të shmangur destabilitetin ("destabilitet", kështu e anatemuan vajtjen e vendit në zgjedhje të parakohshme!), është bërë sot shkaku kryesor i rritjes së tensionit politik dhe i thellimit të krizës. Në të kundërt, ekzistenca e detyrimit për të zgjedhur Presidentin me konsensus dhe kërcënimi me zgjedhje të parakohshme, do të ishin sot si një valvul shkarkimi e tensionit që do të shmangte edhe krizën politike. Koha po provon sesa e gabuar ishte ideja, edhe e "ndërkombëtarëve", e forcimit të stabilitetit në Shqipëri, duke absolutizuar pushtetin e Kryeministrit nëpërmjet fshirjes së atyre mekanizmave kushtetues që imponojnë moderimin e këtij pushteti. Krizën e ka thelluar edhe amendimi i neneve për mocionet e besimit dhe mosbesimit të Kryeministrit. Një nga arsyet që opozita refuzon të hyjë në Kuvend është edhe se nuk mund të bëjë presion për çështjen e drejtë të hapjes së kutive me ndonjë mocion mosbesimi, megjithëse është opozita më e madhe që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Por është dhe më e dobët për faj të lidershipit të saj dhe Edi Ramës në radhë të parë. Këto kohë provuan edhe një herë, dhimbshëm, se Berisha është Voldemorti, magjistari i autoritarizmit dhe se ai, nuk mund të mposhtet duke rrokur armët e tij. Por Berisha mund të mposhtet, pa asnjë dyshim, nëse opozita i rikthehet pa rezerva, duke pranuar edhe gabimet me përuljen e fisnike por shpëtimtare që sugjeron arsyeja, opsionit të braktisur të lirisë dhe demokracisë.
DELIGJITIMIMI I OPOZITËS, NDËSHKON POZITËN
Daut Gumeni
Pse gjendemi sot në këtë krizë politike, që po lodh vendin edhe ashtu mjaft të lodhur nga pasojat e krizës ekonomike botërore, së cilës nuk mund t‘i shpëtojmë me gjithë deklaratat e pushtetarëve tanë se qenkemi vendi i vetëm në botë që nuk na qaset dot kriza?
Po t‘i marrim gjërat me radhën e duhur, atëherë do ta kemi më të lehtë të kuptojmë se pse jemi në një krizë politike, që mund të shmangej. Sikurse do ta kemi po aq të lehtë ta kuptojmë edhe pse pushteti aktual ka marrë atë qëndrim ekstrem ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Arsyeja e do që të mos përpiqemi ta mbulojmë diellin me shoshë. Kriza nisi me shkeljen e një neni të Kodit Zgjedhor, të miratuar në Kuvend me konsensus të plotë, Dhe ai nen përbënte garancinë e opozitës, apo më shkoqur, garancinë e vetë zgjedhjeve të pakontestueshme. Neni në fjalë tashmë e dinë të gjithë që garantonte hapjen e kutive të votimit me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së. Ky nen i rëndësishëm i Kodit Zgjedhor konsensual u shkel ditën për diell në sytë e së gjithë botës dhe nuk ka pse të bëjnë sikur nuk paska ndodhur ndonjë gjë e madhe as pushtetarët e as ndërkombëtarët, as gazetarët dhe as analistët e rreshtuar në krah të pushtetit me muaj të tërë pas zgjedhjeve. Nuk ka pse e tjerrin aq gjatë në shtyp e nëpër emisione televizive se ka apo nuk ka të drejtë opozita të kushtëzojë hyrjen e saj në Kuvend. Këtu nuk ka vend për asnjë diskutim as nga shqiptarët e as nga ndërkombëtarët. Është shkelur ligji konsensual dhe nuk ka më asnjë kuptim të bëhen ligje të tjera me konsensus që të shkelen prapë sa herë që i teket pushtetit. Ligjet duhen zbatuar edhe në Shqipëri si në Gjermani dhe këtë e dinë mirë edhe zonja e nderuar Pak, që duhet të ishte më pak tifoze e një pale kur bën deklarata në emër të institucioneve të BE-së. Sikurse e di mirë edhe zotëria i nderuar Grosruk, që përsëri duhet të mundohej të tregohej më pak tifoz i një pale kur bën deklarata në emër të institucioneve të OSBE-së. Këta miq të mirë të pushtetit tonë aktual do të qenë shumë më të besueshëm në ato deklaratat e tyre prej tifozësh, po t‘i bënin në emër të partive të tyre e jo në emër të institucioneve europiane apo euroatlantike. Ndryshe duhet dhe të na thonë se si do të bëhemi dhe ne pjesë e BE-së duke shkelur ligjet.
Do ta ndihmonin vërtet afrimin e Shqipërisë me BE-në këta miq të pushtetarëve tanë, po të na thonë edhe si u është dukur ajo mënyrë të foluri nga tribuna e Kuvendit, me të cilën u hap te ne pak ditë më parë një fushatë e re e pozitës për të mohuar kërkesat e opozitës, për të deligjitimuar opozitën dhe vetë demokracinë. Shpresojmë që edhe ata miq të pushtetarëve tanë të mendojnë tok me ne se ajo mënyrë të foluri, jo vetëm që duhet harruar sa më shpejt për fyerjen që i bën qytetarisë së këtij vendi me "qytetarinë" që u dha të gjitha fjalëve tabu, por duhet t‘i kujtojë pozitës aktuale dhe miqve të saj në institucionet e BE-së se përpjekjet për të deligjitimuar opozitën, deligjitimojnë më keq vetë pozitën dhe pushtetin e saj. Duhet t‘u kujtojnë pushtetarëve tanë dhe miqve të tyre në BE se trumbetat për nisjen e fushatës së radhës për të demonizuar e deligjitimuar opozitën, tregojnë jo vetëm harbutërinë e pushtetarit që hyn dhe në institucionet e shtetit si elefanti në një dyqan me qelqurina, por edhe verbërinë që nuk e lë të kuptojë se demonizimi dhe deligjitimimi i opozitës e bën të paligjshëm dhe pushtetin e pozitës dhe kthehet në thelb në një përpjekje për të ndryshuar vetë sistemin e qeverisjes demokratike.
Duhet t‘u kujtojnë të gjithëve se, më tepër se një humbje ekuilibri, ai keqpërdorim i fjalës dëmtoi më shumë qytetarinë e politikës sonë të tranzicionit sesa opozitën që sulmohet vetëm sepse kërkon zbatimin e një ligji konsensual të shkelur nga pushteti. Madje më tepër se opozitën, kundër së cilës nisi fushatën e demonizimit dhe të deligjitimimit, ai shpërthim lluburdirash gjuhësore dëmtoi vetë trumbetarin e sulmit të paprinciptë kundër opozitës. Për të mos zënë ngoje pastaj atë lloj çartosjeje të taborit të pushtetarëve, që shtyheshin e vijojnë të shtyhen ende për të zënë radhën se kush do ta brohoritë më me zjarr atë gojështhurje të padëgjuar e të paimagjinueshme as në kohët kur njeriu ka qenë i veshur me gjethe.
Duke uruar që ajo shfaqje shëmtimi të harrohet sa më shpejt nga të gjithë ata që patën fatkeqësinë ta dëgjojnë, nuk mund të mos vihet re se ai shpërthim i egër nga foltorja e Kuvendit duket se është një strategji e pozitës aktuale për të deligjitimuar jo vetëm kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Ai shpërthim primitiv është vetëm veshja skenike, apo më mirë gjuha propagandistike e një fushate që, duke kërkuar me çdo mjet të deligjitimojë opozitën, kërkon në thelb të deligjitimojë vetë sistemin e qeverisjes demokratike.
Pas dy dekadash tranzicioni të rremë, pushtetarët trashëgimtarë të Partisë së Punës kërkojnë këtë herë të nxjerrin jashtë ligjit tok me opozitën edhe vetë sistemin e qeverisjes demokratike. Duket që dështimin e tyre për të bërë dhe demokratin, sikurse bënë dikur komunistin, e quajnë dështim të vetë sistemit demokratik. Ndryshe si mund t‘i quajnë zgjedhjet e pjesshme njëpartiake si "më të lirat e më të ndershmet e zhvilluara ndonjëherë" dhe si "dëshmia më e mirë" se fitorja e tyre më 28 qershor ka qenë më se e merituar?!...
Pas dy dekadash tranzicioni me ekonomi frymëzënë nga mosnjohja e të drejtës së pronës, me një pluralizëm politik të kontrolluar në çdo hap nga mbeturinat e diktaturës, me një klasë politike që kërkon të bëhet pronare jo vetëm e pushtetit por edhe e pasurisë kombëtare, me institucionet themelore të shtetit të komanduara nga pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, me një sistem drejtësie të përfshirë nga ethet e pasurimit dhe nga frika e pushtetit, me një sistem shëndetësor që sëmur dhe të shëndoshët në vend që të shërojë të sëmurët, me një sistem arsimor ku bëhen gati çdo vit eksperimente dështakësh, duke filluar qysh nga abetaret me gabime të rënda gjuhësore e deri te tekstet e historisë, të cilat kanë historike vetëm shtrembërimet e historisë, me një bujqësi që ka lënë djerrë tre të katërtat e tokës bujqësore, me një diplomaci që nuk është shkëputur ende nga statusi i dikurshëm si degë e posaçme e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me një Ministri të Brendshme që numëron si suksese të saj kapjen e kriminelëve tanë nga policitë e vendeve të tjera dhe harron që ka ende mijëra fëmijë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes edhe në shekullin e njëzetenjëtë, me një Ministri të Mbrojtjes që mbron vetëm marrëveshjet që cenojnë integritetin territorial të vendit dhe doemos "dervishët e Malëshovës" që ndërrojnë njëri-tjetrin si ministra të interesuar vetëm për të kthyer ish-pronat ushtarake në fabrika të vdekjes dhe ish-pikat e hapjes në pika të kontrabandës së armatimeve, të atyre armatimeve që janë pasuri e kooperativistëve të uritur dhe jo e pushtetarëve të babëzitur e, më në fund, me një qeveri që i harron dhe të burgosurit e diktaturës në grevë urie, edhe pse detyrë e saj e parë është të zbatojë ligjet e Kuvendit e t‘u japë dhe atyre qytetarëve të drejtën e siguruar me ligj dhe jo të urdhërojë Kuvendin me qarkore partie dhe të festojë përvjetorët e lëvizjeve demokratike, duke lënë të vdesin në grevë urie ata që qenë demokratë kur qe e ndaluar dhe nuk u kthyen nga komunistë në demokratikas kur u tha Partia - me të gjitha këto "mrekullira", pra, një përpjekje për të ndryshuar edhe sistemin e kësaj demokracie gjysmake e për t‘u kthyer aty ku u nisëm dy dekada më parë, është fare pak t‘i thuash humbje kohe. Madje është më tepër se humbje kohe, është humbje e udhës së Zotit nga pushtetarët tanë të tranzicionit.
Ndryshe si t‘i kuptojmë ato thirrje luftarake që lëshojnë pushtetarët tanë aktualë kundër opozitës nga gjysmë-Kuvendi e nga podiumet që vishen ende me parullat e fushatës zgjedhore? Si t‘i kuptojmë pushtetarët tanë kur urojnë nga tribunat publike që opozita të mos vijë kurrë në Kuvend(!) Madje arrijnë dhe të thonë me plot gojë se qenka më mirë pa opozitë jo vetëm Kuvendi po i gjithë vendi(!) Atëherë lind pyetja: Në cilin sistem po përpiqen të na shpien pushtetarët tanë aktualë? Dhe ç‘është gjithë ai tërbim kundër opozitës, vetëm sepse kërkon të zbatohet ligji konsensual i shkelur nga pushteti? Pse qenka aq e rëndë për pushtetarët tanë aktualë që të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve dhe tek ne e të nisim dhe ne si mbarë bota e qytetëruar të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme, ku transparenca e votës të garantohet me ligj dhe të dalin përpara ligjit të gjithë ata që manipulojnë votat e qytetarëve për hir të pushtetit?
Pastaj, si u kthye në "Mafie" po ajo opozitë me të cilën po këta pushtetarë e bënë Kushtetutën çarçaf brenda një nate? Si u kthye befas në "Mafie" po ajo opozitë që, për hir të pranimit të vendit në NATO, bëri sikur nuk e dëgjoi as shpërthimin vrasës të Gërdecit të korrupsionit të pushtetarëve? Si e "lejoi" pushteti aktual "Mafien" të pushtonte opozitën dhe madje të futej në garë zgjedhore me të? Na thonë se e paska lejuar këtë "Mafie-opozitë" vetëm që të "mos prishte zgjedhjet sikundër bëri me zgjedhjet e vitit 1996"... Këtej del edhe që ato zgjedhje të vitit 1996 i paska prishur opozita e jo ata që i morën kutitë në krahë me parullën: "Bingo!". Me sa duket duhet t‘i ketë ndihmuar ca dhe ambasadorja e nderuar Gllover, që sikur i quajti ato zgjedhje të manipuluara... Këtej del edhe që zgjedhjet e 28 qershorit 2009, ato "më të mirat e zhvilluara në historinë e Shqipërisë", paskan qenë po aq të mira, të lira e të ndershme sa ato të majit të vitit 1996(!)... Këtej del edhe arsyeja përse iu dashka aq shumë tani pushtetit aktual zbulimi i papritur i " Mafies" në krye të opozitës. Prandaj dhe miratoi me urgjencë ligjin përkatës me 74 vota, paçka se për ligje të asaj natyre thuhet që duhen 3/5 e votave të Kuvendit. Tek e fundit, lufta ndaj Mafies nuk pret për formalitete të tepërta. Megjithëse kjo mazhorancë e ka shkulur me rrënjë tashmë krimin e organizuar, paska harruar të luftojë Mafien...
Sikurse paska harruar se, kur gjysma e popullit që qeveris kërkon zbatimin e ligjit për hapjen e kutive, ato kuti duhen hapur faqe gjithë popullit e botës. Ka harruar mazhoranca aktuale se, meqë ka bërë "zgjedhjet më të mira në histori", nuk ka pse trembet nga kutitë e hapura se mund të dalë dhe që ka fituar ca vota më shumë... Kur e dinë pushtetarët tanë se populli i dashka aq fort sa do të fitojnë edhe të gjitha zgjedhjet e ardhshme të këtij shekulli, pse të tërbohen aq shumë sa t‘i thonë këmbës dorë kur populli demonstron për të kërkuar zbatimin e ligjit konsensual për hapjen e kutive të votave? Mos qenka dhe kjo kërkesë e "Mafies". Mos është kërkesë e Mafies edhe të bësh dialog e kompromis me opozitën në dobi të vendit? Mos është kërkesë e Mafies dhe vetë politika e urtë, që i hap udhën zhvillimit të demokracisë e jo tërbimit të pushtetit? Apo mos pushtetarët tanë të tranzicionit e zbulojnë "Mafien" sa herë që u duket se u hyn në punë, si antikomunizmi e si antikorrupsioni?... Sikundër zbulonte dikur "udhëheqësi i Partisë" "grupet armiqësore dhe komplotet kundër pushtetit popullor"?...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›