ANALIZË & STATISTIKA, Policia pranon dështimin: Ka rritje të krimit dhe ulje të zbulueshmërisë
TIRANË – Numri i krimeve të ndodhura gjatë 11 muajve të fundit është konfirmuar edhe nga Policia e Shtetit, e cila ka pranuar rritjen e treguesve të kriminalitetit dhe uljen e fuqisë ndëshkuese (zbuluese). Në analizën e strukturave të Policisë së kryeqytetit, një gjë e tillë është pohuar edhe nga vetë shefi i madh i Policisë, Hysni Burgaj. Duke folur para vartësve të tij në Policinë e qarkut të Tiranës, ai tha dje se “është e natyrshme që të evidentojmë dhe të vëmë theksin edhe në disa tregues të kriminalitetit, të cilët këtë vit kanë njohur rritje në numër e ulje të fuqisë zbuluese dhe që kanë impakt të drejtpërdrejtë në perceptimin e publikut për punën tonë”.
Disa lloje veprash penale kanë shënuar rritje, por krimet kundër personit (vjedhjet, vjedhjet me dhunë dhe me armë) kanë të dhëna shkurajuese për qytetarët. Policia arrin që të zbulojë vetëm 41 për qind të rasteve të ndodhura. Megjithëse komuniteti po tregohet gjithnjë e më i gatshëm që të bashkëpunojë me policinë (shtim deri në 30 për qind i telefonatave denoncuese), një gjë e tillë nuk shpërblehet nga strukturat e rendit, të cilat, në rreth 60 për qind të rasteve të grabitjeve apo vjedhjeve të banesave nuk arrijnë që të gjejnë autorët.
Rritja e krimit
“Kemi rritje të numrit të krimeve kundër personit, sidomos vrasjet dhe ulje të fuqisë zbuluese për to”. Me këto fjalë iu drejtua kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, vartësve të tij, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në vijim ai shtoi se “janë rritur krimet kundër pronës, problematike kanë qenë vjedhjet me dhunë, vjedhjet e bankave, vjedhjet me armë, vjedhjet me pasojë vdekjen, të cilat janë rritur në numër dhe ka rënë fuqia zbuluese e tyre”. Të gjitha këto konstatime nuk tregojnë asgjë tjetër veçse realitetin e përditshëm të Tiranës, i pasqyruar edhe në media në mënyrë të përditshme; ku ka rritje të vrasjeve, të vjedhjeve dhe grabitjeve, thyerje të bankave dhe veprave të tjera penale që shtojnë pasigurinë në kryeqytet. Megjithëse një gjë e tillë kushtëzohet edhe nga zhvillimet social-ekonomike në vend, sërish të treguesit e krimit kanë ritëm rritës dhe zbulueshmëria apo goditja e grupeve kriminale shënon një ritëm të ngadaltë.
Statistika
Çdo ditë ndodhin të paktën 13 krime në kryeqytet, një shifër jo shumë e lartë, por ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me faktin se llojet e rrezikshme të krimeve për qytetarët, që ndodhin në vende publike, si grabitje me dhunë, thyerje bankash, vrasje etj., e cenon ndjeshëm sigurinë dhe rendin. Krimi financiar, krimet e rënda, krimet kundër personit kanë shënuar ritme rritëse. (Më poshtë shih të dhënat). Një tjetër problem që pritet që të shtohet gjithnjë e më tej është krimi kompjuterik, i cili gjatë kësaj periudhe ka shënuar mbi 30 raste. Një gjë vlerësohet pozitive: sipas të dhënave, janë shtuar ndjeshëm rastet e denoncimeve të qytetarëve për krimet. Këtë 11-mujor ka pasur 30 përqind më shumë telefonata në sallat operacionale sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Së fundi, garantët e rendit dhe qetësisë publike, janë treguar tejet të rezervuar në objektivat e tyre për vitin në vazhdim. Por, në prioritetet e përcaktuara janë modeste karshi problematikës që ka siguria në Tiranë, e cila në këtë periudhë është e kushtëzuar edhe nga gjendja ekonomike e banorëve të kryeqytetit. Një konstatim të tillë e bëri edhe kreu i Policisë së Shtetit, i cili kërkoi nga strukturat e Tiranës që të kontrollojnë si duhet territoret, ku ka elementë me tendencë kriminale të vjedhjes, armëmbajtjes pa leje etj.
REAGIMI
Piro Lutaj: Rritje dramatike e krimit në Tiranë
Menjëherë pas përfundimit të analizës së Policisë së kryeqytetit, reagoi edhe Partia Socialiste në opozitë, e cila deklaroi se ka rritje dramatike të krimit në Tiranë, kjo krahasuar edhe me një vit më parë. Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, është përqendruar te numri i lartë i vrasjeve (2 vrasje në muaj) në Tiranë, ngjarjet e rënda në shkolla, shtimi i narkomanëve, numri i vjedhjeve etj. Zoti Lutaj e vë theksin te numri tejet i ulët i zbulimit të vjedhjeve dhe grabitjeve nga strukturat e policisë (ashtu siç pohohet edhe në statistikat e ofruara nga vetë Policia e qarkut të Tiranës.)
“Fshehja e kriminalitetit nga vetë organet ligjzbatuese: mosregjistrimi i kallëzimeve, sorollatja e qytetarëve sa nga njëri komisariat në tjetrin dhe pengesat burokratike gjithfarësh, synojnë fshehjen e numrit të krimeve”, - tha Lutaj. Sipas tij, “treguesit e mësipërm flasin për paaftësinë dhe dështimin e kësaj qeverie, të ministrit të Brendshëm dhe të vetë Sali Berishës, të cilët, në vend që të adresojnë veprimtarinë e tyre në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, e kanë mendjen të bëjnë batuta e të hedhin baltë mbi opozitën”.
STATISTIKA
11-mujori
Të dhëna 2010 2009
Vepra penale 4679 4241
Janë zbuluar 3739 (80%) 3354 (79%)
Autorë të krimeve 4260
Persona të arrestuar 995
Në gjendje të lirë 3180
Shpallur në kërkim 70 persona.
Narkotrafiku
Numri i veprave 335 284
Numri i të proceduarve 471 367
Krimi financiar
Vepra penale 626 593
Numri i të proceduarve 861 854
Pastrimi i parave 22
Vepra të krimit financiar 423
Numri i të proceduarve 550
Numri i të arrestuarve 121
Krime kompjuterike 33
Autorë të proceduar 32
KRIMET E RËNDA
Numri i veprave penale 225
Veprat e zbuluara 156 (71%)
Numri i të proceduarve 198
Numri i të arrestuarve 104
Numri i të kërkuarve 57
KRIMI KUNDËR PERSONIT
Numri i veprave penale 138
Vepra të zbuluara 121 (88%)
Numri i vjedhjeve me dhunë 84
Numri i rasteve të zbuluara 34 (41%)
10 Dhjetor 2010