E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, kryetari i Bashkisë së Shkodrës bën apel për ndihmë



Lizeta Duro -Lorenc Luka, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, duke iu referuar situatës kritike që po përjetojnë banorët e këtij qytetit dhe fshatrave përreth për shkak të përmbytjeve, u ka bërë apel të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen, për ndihmë. Sipas Lukës, gjendja është e vështirë, edhe pse punohet pa ndërprerje për përmirësimin e saj. “Shteti është në këmbë, por përballë kësaj situate tejet të vështirë që pritet të zgjasë, është e domosdoshme mbështetja dhe solidariteti i gjithsecilit, siç është në traditën dhe fisnikërinë e shqiptarit. Zona e Shkodrës po përballet me një situatë problematike që prej mëse një jave. Fatkeqësia natyrore që ka pllakosur gjithë qarkun ka përmasat e një katastrofe. Në shekuj Shkodra ka kontribuuar për kombin, por sot ajo ka nevojë për ndihmë”, - u shpreh Lorenc Luka. Kreu i Bashkisë deklaron se janë përmbytur 14 mijë hektarë tokë, 2900 shtëpi të shembura dhe më shumë se 13 mijë banorë të evakuuar. Sipas Lukës, solidarizimi është më i nevojshëm se kurrë pasi fëmijë, pleq, gra dhe të sëmurë kërkojnë në çdo moment asistencë, me mijëra shtëpi të kateve të para janë të zhytura nën ujë dhe në qindra banesa të tjera uji mbërrin deri në çati.
Banorët
Banorët e disa lagjeve në Shkodër shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë për shkak të keqorganizimit të shpërndarjes së ndihmave për zonat e përmbytura. Të evakuuarit ankohen se makinat e shpërndarjes i lënë pakot me ndihma shumë larg vendit ku ata janë strehuar. Ata thonë gjithashtu se për shkak të burokracive që hasin (në lista dhe në regjistrimin e identitetit të tyre), nuk arrijnë të tërheqin dot pakot me ushqime, ujë të pijshëm dhe produkte të tjera kryesisht ushqimore dhe veshmbathje. Makinat e ushtrisë i grumbullojnë ndihmat pranë shkollave ose në institucione të tjera dhe kanë “ngarkuar” vullnetarë të tjerë të kryejnë shpërndarjen në banesat e banorëve të përmbytura nga uji. Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Troshani, ka shpjeguar dje një skemë të re, e cila synon shpërndarjen e ndihmave për të gjithë banorët që kanë nevojë. Në këtë skemë parashikohet që shpërndarja e ndihmave të bëhen pranë zonave të përmbytura.

Presidenti
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë një vizite në fshatin e Gjadrit, ka parë nga afër operacionet e shpërndarjes së ndihmave për banorët e prekur nga përmbytjet. Kreu i shtetit përgëzoi punën profesionale që po bëjnë trupat shqiptare, greke dhe turke, të cilat marrin pjesë në operacionet e shpërndarjes së ndihmave në shërbim të komunitetit. Në këtë vizitë, presidenti është i shoqëruar edhe nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Operacionet e shpërndarjes së ndihmave po kryhen në lagjet e Shkodrës, të cilat janë të prekura nga përmbytjet, por edhe në komunat e Nën-Shkodrës, të cilat janë tërësisht të izoluara nga uji.

Ksera
Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, gjatë një konference për zbatimin e strategjisë kombëtare për komunitetin rom, ka deklaruar se prioritet në skemën e ndihmës ekonomike për banorët e përmbytur në zonën e Shkodrës do të kenë komuniteti rom dhe familjet e personave me aftësi të kufizuara. “Gjatë gjithë këtyre ditëve ne kemi monitoruar situatën për personat me aftësi të kufizuara, për shtresat në nevojë, për familjet me ndihmë ekonomike. U kemi dhënë të gjitha ndihmat që duan, furnizimin me ujë të pijshëm, me energji elektrike dhe karburant për të pasur ngrohje dhe kushte sa më normale", - u shpreh ministri Ksera.
Fondacioni
Fondacion “Fëmijët shqiptarë” dhuroi 10 mijë euro dhe disa ndihma të tjera ushqimore në ndihmë të të përmbyturve në Shkodër. Zonja Liri Berisha, në cilësinë e presidentes së fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, ishte dje e pranishme në konviktin e Shkollës Pyjore, të Shkollës Industriale dhe në konviktin e shkollës “Safet Spahiu”, duke u premtuar banorëve të evakuuar angazhim maksimal të fondacionit që ajo drejton. "Sot jemi si një fondacion i fëmijëve për të ndihmuar fëmijët në nevojë, për të ndihmuar banorët e Shkodrës, me mbështetjen e bizneseve të ndryshme, e njerëzve të thjeshtë, e nxënësve të shkollave, kemi ardhur sot këtu si përfaqësues të fondacionit, si nëna, për dhimbjen ndaj këtyre fëmijëve që sot u mungojnë shumë gjëra që u duhen, ushqimi, veshmbathjet, ngrohja", - tha zonja Liri Berisha. Presidentja e Fondacionit zhvilloi gjithashtu një takim me Shtabin e Emergjencave me përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetit Publik për t’u njohur me gjendjen shëndetësore të banorëve të evakuuar.
Qendra Kombëtare për Edukimin në Vazhdim mbajti një konferencë për sfidat e edukimit
Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Zyrën e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri dhe Qendrën Kombëtare për Edukimin në Vazhdim mbajtën një konferencë që iu përgjigj sfidave të edukimit në vazhdim për punonjësit e shëndetësisë, organizuar nën projektin e Sistemit të Zhvillimit Profesional financuar nga Zvicra. Kjo ishte konferenca e dytë që merret me çështjet e edukimit në vazhdim në Shqipëri. Profesionistë të shëndetësisë nga Zvicra, Shqipëria dhe vende të tjera mbajtën prezantime dhe ndanë përvojat e tyre në zhvillimin e kësaj pjese të rëndësishme të sistemit shëndetësor. “Një forcë pune moderne duhet vazhdimisht të përmirësojë njohuritë dhe aftësitë. Për të përmbushur këtë kërkesë, si shumica e vendeve Evropiane, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt krijimit të edukimit në vazhdim për mjekësinë, në sajë të mbështetjes zvicerane”, - tha Entela Shehu, drejtoresha e Qendrës së Edukimit në Vazhdim. Kjo konferencë u zhvillua me qëllim ritrajtimin dhe edukimin e vazhduar të punonjësve të shëndetësisë në Shqipëri si dhe për të identifikuar çështje që lidhen me edukimin dhe përparimin e punonjësve të shëndetësisë.

10 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›