Sherri për pronësinë e tokës shkakton dy të plagosur
TIRANË – Një tjetër konflikt për çështje pronësie për pak sa nuk ka shkaktuar viktima. Sherri mes familjeve Ceka dhe Vogli në periferi të Tiranës për truallin e një pallati të sapondërtuar përfundoi pasditen e së shtunës me dy të plagosur. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se ka arrestuar shtetasit: Ylli Ceka, 41 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë Repartit 712 dhe Julian Pusha, 30 vjeç, që të dy me banim në Tiranë. Nga të dhënat policore, dy personat e arrestuar janë përfshirë në konfliktin mes familjeve. Burimet spitalore raportojnë se 44-vjeçari Ceka ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 35-vjeçari Vogli ka marrë një plumb në trup dhe është në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet.
Konflikti
Familjet Ceka dhe Vogli kishin shumë kohë që ishin përfshirë në konflikt me njëra-tjetrën për pronësinë e një trualli mbi të cilin ishte ndërtuar një pallat në zonën e Freskut, në periferi të Tiranës. Burimet policore bëjnë të ditur se fillimisht dyshohet se grindja ka ndodhur mes dy vëllezërve Ceka dhe Edvin Voglit, ku ky i fundit ka plagosur me sende të forta Bashkim Cekën, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Për t’u hakmarrë, vëllai, Ylli Ceka, me detyrë punonjës policie, ka qëlluar ndaj 35-vjeçarit Vogli teksa ndodhej në pronën e tij. Kaq ka mjaftuar që të shkojë policia.
Arrestimet
Në vendin e ngjarjes menjëherë shkuan forcat e policisë, të cilat prangosën dy autorët që shkaktuan plagosjet. “Ndaj autorit të dyshuar, shtetasit Ylli Ceka, është marra masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të ‘tentativës së vrasjes’, ndërkohë që është marrë edhe masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të ‘plagosjes së rëndë me dashje’ ndaj shtetasit Julian Pusha, 30 vjeç, me banim në Tiranë, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka plagosur me sende të forta shtetasin Bashkim Ceka (vëllai Y. Ceka)”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës. Sipas tyre, materialet e përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
Gjatë muajve të fundit janë rritur ndjeshëm krimet kundër personit, ku në jo pak raste shkak shërbejnë konfliktet e pronësisë. Edhe analiza e bërë pak ditë më parë në Policinë e Qarkut të Tiranës faktoi rritjen e veprave penale gjatë 11 muajve të këtij viti dhe uljen e zbulueshmërisë nga forcat e rendit.
“Lupeni” prangos hajdutin e qytetit të Elbasanit
ELBASAN – Një operacion policor i koduar me emrin “Lupeni” ka përfunduar me arrestimin e një prej lupenëve më të bezdisshëm të qytetit të Elbasanit, pasi kishte grabitur disa individë dhe pika tregtimi. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë arrestuar shtetasin Nermin Ranxha, 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Partizani” në Elbasan. Finalizimi i operacionit u arrit mbrëmjen e së premtes nga efektivët e policisë së Drejtorisë së Qarkut, pasi Ranxha, në kohë dhe vende të ndryshme, dyshohet të jenë autor i shumë vjedhjeve të dyqaneve, lokaleve, banesave të ndodhura në qytetin e Elbasanit, por edhe në periferi të saj. Zëdhënësja Valbona Begu thotë se gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e 27-vjeçarit u gjenden dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale disa orendi shtëpiake, aparate telefonike celulare, një shume parash, disa bizhuteri si (varëse, unaza etj), sende të ndryshme, si leva, pinca, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale. Burimet policore shtojnë se u gjetën sende dhe materiale të tjera të vjedhura nga ana e këtij shtetasi, të cilat kishte si qëllim për t’ua shitur personave të ndryshëm.
Tre viktima në aksidente, shkak, shpejtësia e mjeteve
GJIROKASTËR/FIER – Dy aksidente të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit në Gjirokastër dhe Fier kanë shkaktuar 3 viktima, ku shkak kryesor mbetet shpejtësia tej normave të lejuara. Ngjarja më e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në qytetin jugor. Burimet policore raportojnë se rreth orës 04.50 të ditës së djeshme, në aksin rrugor nacional Gjirokastër – Tepelenë, në afërsi të një pike shitje karburanti, poshtë fshatit Mashkullorë një automjet ka dalë nga rruga dhe ka pasoja në njerëz. Një automjet tip “BMV?///// me targa TR 30 76 T, që drejtohej nga shtetasi Ardian Mamo, 29 vjeç, banor në lagjen “Manalat” të Gjirokastrës, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një mur rrethues në anë të rrugës dhe më pas ka përfunduar në një arë. Si pasojë e kësaj ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i automjetit, shtetasi Ardian Mamo dhe është plagosur Altea Balliu, lindur në Burrel dhe studente në Tiranë. “E lënduara u dërgua në gjendje shumë të rëndë për në Spitalin e Gjirokastrës dhe me gjithë ndërhyrjen e mjekëve edhe kjo shtetase ka gjetur vdekjen pas një ore”, - thonë burimet policore. Grupi hetimor, nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka konstatuar se shkaku paraprak i këtij aksidenti është humbja e kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe shpejtësia tej normave të lejuara.
Një tjetër aksident ndodhi të shtunën paradite edhe në Fier. Burimet zyrtare bënë të ditur se një burrë i moshës rreth të 60-ave, ende i paidentifikuar, është përplasur pranë vendit të quajtur kthesa e Verbasit nga automjeti me targë FR 3832 D. Drejtuesi i automjetit Ligor Xoxa u shoqërua menjëherë në polici. Policia po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e ngjarjes.
Gjatë fundit të vitit, kur shtohet ndjeshëm qarkullimi i mjeteve në rrugë prej ardhjes së emigrantëve, rritet numri i aksidenteve dhe për pasojë, edhe numri i të lënduarve apo viktimave. Viti 2010 shënoi shifra të frikshme të viktimave në akset kombëtare.
Mashtrimi me kreditë, “Bankieri pirat” çon në pranga dy persona
VLORË - Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së qytetit të Vlorës pasi akuzohen se kanë përvetësuar një shumë të madhe parash nga një prej bankave që ushtron aktivitetin në Vlorë. Burimet zyrtare raportuan se Gentian Hoxha, 35 vjeç, specialist marketingu dhe Fatjon Hoxha, administrator i shoqërisë “Ati.. sh.p. k.” kanë rënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit të koduar “Bankieri pirat”.
Sipas policisë, këta dy shtetas akuzon për falsifikim të dokumenteve, vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe ndërhyrje në të dhënat kompjuterike të bankës. Policia dyshon se paratë që janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga banka ku është i punësuar 25-vjeçari Gentian Hoxha, janë përdorur për disa investime publike të bëra në qytetin e Vlorës, një prej të cilave është edhe holli i Pallatit të Sportit. Policia po vijon hetimet në lidhje me zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
13 Dhjetor 2010