Dënim përjetë për kreun e bandës së Divjakës
VLORË - Gjykata e Apelit në Vlorë dënoi me burgim të përjetshëm një 46-vjeçar nga Divjaka, i cili akuzohej për vrasjen e dy vëllezërve dhe të një të afërmi të tyre, bashkëfshatarë të tij, në vitin 1998. Autori njihet si kreu i bandës së Divjakës, që tmerroi zonën në vitet 1997 me krimet e kryera. Gjykata e Shkallës së Parë në Lushnjë, që nisi shqyrtimin e çështjes, e dënoi në mungesë Luan Fushën me 22 vjet burg, por ky vendim u kundërshtua nga familjarët e viktimave. Ndërkohë, Interpol Tirana arriti të ekstradojë 2 vjet më parë nga Italia të akuzuarin për këtë vrasje, i cili u kap në qytetin e Milanos. Aktiviteti i dyshimtë i Luan Fushës daton para vitit 1996, në qytezën e tij të lindjes, në Divjakë. Ngjarja për të cilën u akuzua Fusha dhe u dënua me burgim të përjetshëm ndodhi më 14 gusht të vitit 1998, në Divjakë. Sipas akuzës, 46-vjeçari, me bashkëpunëtorët e tij, ka vepruar në këtë zonë në trazirat e vitit 1997, kërkonte të eliminonte babanë e dy vëllezërve Bashuri, i cili kishte qenë dëshmitar okular në një vrasje që dyshohet se ishte kryer nga Fusha në Lushnjë. Më 14 gusht të vitit 1998, duke hyrë në banesën e familjes Bashuri, ai vrau Edmond dhe Dhimitër Bashurin, si dhe kushëririn e tyre, Armand Kokoneshin, që kishte shkuar për vizitë te Bashurët, ndërkohë që nuk mundi ta bënte një gjë të tillë për kryetarin e kësaj familjeje. Fusha dyshohet të jetë autor edhe në ngjarje të tjera. Mësohet se gjurmët e gishtave të Fushës kanë dalë edhe në tri vrasje të tjera të kryera në qytetin myzeqar. Zyrtarët thanë se Fusha njihet si kreu i bandës së Divjakës gjatë trazirave të vitit 1997 dhe hetohet për vrasje e plagosje të mundshme të kryera në Itali.
Plagosja në Fushë-Krujë, kërkohen gardiani dhe i vëllai
FUSHË-KRUJË – Policia e Krujës shpalli në kërkim një gardian në Burgun e Fushë-Krujës dhe vëllanë e tij, për plagosjen me armë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës. Burimet zyrtare bënë të ditur se Altin Gjoka, 36 vjeç dhe Artur Gjoka, 32 vjeç, punonjës policie në Burgun e Fushë-Krujës, që të dy vëllezër, janë në kërkim policor për plagosjen me pistoletë të shtetasit E. D., 20 vjeç. Sipas tyre, rezulton se shtetasi Artuar Gjoka, pas një debati të çastit me shtetasin E. D., ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij, duke e plagosur në dorën e djathtë. I dëmtuari është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e qarkut të Durrësit bëri të ditur se vazhdon puna për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Humb jetën minatori në galeritë e kromit në Kalimash
KUKËS – Rikthehen tragjeditë në minierat shqiptare. Dje humbi jetën edhe një tjetër minator në minierën e Kalimashit në Kukës. Burimet zyrtare bënë të ditur se viktimë është shtetasi Alfred Muslia, nga fshati Dukagjin i komunës së Malziut. Muslia ka qenë duke punuar në një nga galeritë e braktisura në vitet ‘90, në vendin e quajtur Keçël, kur është zënë nga masivi i kromit të shembur nga tavanet e galerisë. Sipas dëshmive të disa minatorëve që punonin pranë, 33-vjeçari që banonte në rrethinat e Tiranës, humbi jetën rrugës për në spitalin e Kukësit. Alfred Muslia, baba i dy fëmijëve, gjendej në Kukës prej dy javëve, i detyruar të punonte në minierën e braktisur nga gjendja e vështirë ekonomike. Vetëm në Kukës kanë vdekur 4 minatorë kohët e fundit. Numrin më të lartë të viktimave e kanë shënuar galeritë e Bulqizës.
VENDIMI
Prudentino, ekstradim në Itali
VLORË – Merr fund aventura për qëndrimin në Shqipëri të të kërkuarit nga Drejtësia italiane, si anëtar i organizatës mafioze "Sacra Corona Unita". Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dha dje vendimin ndaj shtetasit Albino Prudentino, ku u vendos që të bëhet ekstradimi i tij. Por, avokati i 59-vjeçarit nga Italia ka lëshuar akuza ndaj trupit gjyqësor, duke e konsideruar “procesin të parregullt”.
Anëtari i “Sacra Corona Unita” u arrestua më 29 shtator në një nga lokalet në pronësi të tij në zonën e "Ujit të Ftohtë" në Vlorë, ku qëndronte në Shqipëri prej disa kohësh dhe dispononte pasuri të paluajtshme si lokale, shtëpi dhe kazino. Ai u prangos me urdhër të lëshuar nga Gjykata e Leçes në Itali për akuzat "bashkëpunim kriminal i tipit mafioz", "trafik droge", si dhe "grabitje në rrethana rënduese", vepra të parashikuara nga Kodi Penal italian, të cilat nëse vërtetohen, e dënojnë Prudentinon me më shumë se 25 vjet burg.
10 Dhjetor 2010