Artan Kristo dënohet me 5 vjet burg për thirrjet terroriste në internet
DURRËS – Shpallet fajtor Artan Kristo, për mesazhet terroriste në internet dhe dënohet me 5 vjet burg. Dje përfundoi procesi gjyqësor në ngarkim të tij dhe trupi gjykues dha vendimin duke e shpallur fajtor për nxitje të urrejtjes dhe thirrje për veprime terroriste përmes internetit.
Kristo është arrestuar në tetor të vitit 2009 dhe çështja ndaj tij mori fund vetëm dje pas një kalvari të gjatë seancash gjyqësore. Në përfundim të seancës avokati mbrojtës i Kristos tha se do ta apelojë vendimin, ndërkohë që do të këmbëngulë për të kërkuar pafajësi për klientin e tij. Prokurori i çështjes tha në seancë se Artan Kristo ka bërë thirrje për veprime të dhunshme në dy forume në internet. Por, avokati mbrojtës mohoi akuzat dhe u shpreh se deklarimet e Kristos në internet, nën një pseudonim islam, janë thënë në kontekstin fetar dhe më pas janë keqinterpretuar nga policia dhe SHISH-i.
11 Dhjetor 2010