ANALIZA VJETORE E ISKSH Qendrat shëndetësore, 800 mijë vizita më shumë se në 2008
Autori i Lajmit: Redaksia
Vetëm në një vit, (gjatë 2009), në qendrat shëndetësore janë kryer 800 mijë vizita më shumë se në vitin 2008. Në total gjatë vitit 2009 u shpenzuan 10,8 miliardë lekë për shërbimet shëndetësore dhe barnat e rimbursueshme. Vetëm për këto të fundit, u financuan 4.8 miliardë lekë, ose 641 milionë lekë më shumë se në vitin 2008. Ndërsa financimi i shërbimit shëndetësor parësor më 2009 rezulton me rritje 16% më shumë se 2008-ta. Sa i takon barnave të rimbursueshme, peshën kryesore në rimbursim e kanë zënë pensonistët me 46% të shumës totale të rimbursimit dhe invalidët e plotë me 30% të rimbursimit. Të dhënat e ISKSH-së tregojnë se rritjen më të madhe të shpenzimeve të rimbursimit, e kanë medikamentet e sistemit kardiovaskular, për të cilat ISKSH ka shpenzuar 192 milionë lekë më shumë se në vitin 2008. Vlen të theksohet se qendrat shëndetësore kanë pasur një frekuentim shumë më të madh krahasuar me nisjen e reformës në shërbimin shëndetësor parësor, duke kthyer besimin të mjeku i familjes. Vetëm në një vit, gjatë 2009-ës, në qendrat shëndetësore janë kryer 800 mijë vizita më shumë se në vitin 2008. Ose e shprehur ndryshe ky indikator ka pësuar një rritje në 2009-ës prej 13% krahasuar me 2008-ën dhe 67% krahasuar me 2006. Përqasjen e popullsisë drejt skemës së sigurimeve shëndetësore e tregon dhe numri i vizitave të kryera për herë të parë në qendrat shëndetësore. Krahasuar me nisjen e reformës, janë kryer 370 mijë vizita për herë të parë më shumë. Gjatë vitit 2009 janë ushtruar kontrolle të pandërprera në sistem. Në total gjatë 2009-ës janë kontrolluar: 131 qendra shëndetësore; 381 mjekë familjeje dhe 19 mjekë specialistë; 274 subjekte farmaceutike; 8 depo distributore. Mangësitë kryesore konsistuan në: shkelje të disiplinës në punë; mangësi në plotësim dokumentacioni; në trajtimin e pacientëve me barna të rimbursuara; në qarkullimin e barnave me rimbursim (subjektet farmaceutike), etj. Rezultati është se kanë marrë 569 masa të karaktereve të ndryshme për subjektet e kontrolluara, por me një përmirësim të dukshëm krahasuar me 2008. “Objektivi ynë për skemën e sigurimeve shëndetësore, është që në katër vite, 80% të popullatës ta kemi të siguruar dhe të mbuluar nëpërmjet një pakete baze shërbimesh. Kjo shifër është e krahasueshme me vendet më të zhvilluara evropiane”, - tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010