Vasili:Autonomia spitalore kusht për reformën
“Autonomia spitalore është një kusht i rëndësishëm për reformën në sistemin shëndetësor. Këtë deklaratë bëri dje kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në analizën vjetore të ISKSH-së. Ai shtoi se realizimi i kësaj autonomie do të sjellë jo vetëm shërbime cilësore dhe në kohë për ata që paguajnë detyrime, por ndërkohë stafi mjekësor do të jetë më i përgjegjshëm në punën që duhet të kryejë, duke menaxhuar më mirë fondet e spitaleve. “Realizimi i kësaj autonomie do të thotë gjithmonë e më shumë shkuarje e përgjegjësive atje ku ndihma ofrohet, atje ku procesi realizohet, atje ku procesi profesion i ndihmës ndaj qytetarit realizohet. Në këtë mënyrë, autonomia ka të bëjë edhe me fokusimin shumë më të qartë të nivelit të përgjegjësive dhe për të parë atë që nuk na shkon mirë.” tha Vasili. Ndërkaq i pranishëm në analizën vjetore të Qendrës së Kontrollit të Barnave, Vasili theksoi se forcimi i mekanizmave për të garantuar një cilësi më të mirë, si dhe ngritja e qendrës së farmakovigjilencës janë dy sfida mjaft të rëndësishme të këtij institucioni.