Berluskoni: PS të kthehet në Kuvend
ADI SHKEMBIPak orë para tryezës së thirrur nga Presidenti Topi, Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni i bën thirrje opozitës të hyjë në Kuvend dhe t’i diskutojë brenda këtij institucioni të gjitha çështjet. Kreu i Qeverisë italiane e bëri këtë koment gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Sali Berisha, i cili mbylli dje pasdite vizitën dy ditore në vendin fqinj. Në përfundim të takimeve mes dy delegacioneve, krerët e Qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë dolën në një konferencë për shtyp, ku veç situatës së fundit politike folën edhe për marrëdhëniet mes Romës e Tiranës, si dhe bashkëpunimin për sa i përket heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Kriza politikeKryeministri Silvio Berluskoni i kërkoi nga Roma opozitës shqiptare që t’i japë fund bojkotit dhe të rikthehet në Kuvend. “Ne folëm edhe për situatën politike. Unë e pyeta mikun tim Sali. Sinqerisht, dua të them se unë kam pasur rastin të flas në Parlamentin shqiptar dhe ishte një moment i kontrasteve, ishte opozita, ishte socialdemokracia. Pra, në një vend demokratik, në demokraci, duhet që gjithçka të jetë e pjekur dhe nuk duhet të bojkotohet Parlamenti, nuk duhet të bojkotohen punimet e Parlamentit. Opozita duhet të punojë brenda këtyre institucioneve, brenda Parlamentit. Unë ia bëj këtë ftesë edhe opozitës shqiptare”, tha Berluskoni. Sipas tij “ia thashë edhe mikut tim Sali, duke pasur parasysh edhe përvojën time, se unë jam një demokrat liberal. Ai më ftoi që unë të vij të flas në Parlamentin shqiptar dhe unë jam i gatshëm që të vij dhe të flas. Pra, duhet të synojmë respektin e palëve me njëra – tjetrën. Edhe demokracia duhet të jetë aktive. Duhet të ketë dialog midis dy palëve, sepse përndryshe nuk legjitimohen. Këto ishin temat që u diskutuan nga biseda që patëm bashkë”. Nga ana tjetër, kryeministri Berisha e përshkroi si të çuditshme situatën e krijuar në vend nga opozita, e cila sipas tij bojkoton Kuvendin, por ndërkohë ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve. “I fola mikut tim për situatën e çuditshme që ekziston në vendin tim. Kemi një opozitë që thotë se e pranon rezultatin e votimeve. Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë panë nga afër procesin e zgjedhjeve dhe ata thanë që këto janë zgjedhjet më të mira të bëra në Shqipëri. Ata thanë se zgjedhjet në Shqipëri mundën që të përmbushin standardet me kryesore të OSBE-së. Ata nuk thanë gjë për manipulim rezultati apo parregullsi në numërimin e votave”, tha kryeministri shqiptar. “Unë do të punoj me durim. Unë e sigurova mikun tim, Berluskonin, se do të bëj gjithçka që është e mundur për të arritur në një zgjidhje, pavarësisht faktit që ky qëndrim është i tillë. Unë do të bëj më të mirën e mundshme. Unë jam njeri i kompromiseve dhe i lëshimeve. Kjo është edhe logjika e politikës, në mënyrë që t’i japim fund kësaj situate. Ne ndamë të njëjtin mendim dhe ai ishte plotësisht dakord me konceptin tim për këtë situatë”, vijoi më tej Berisha. Vizat dhe statusiGjatë konferencës për shtyp, kreu i Qeverisë italiane i premtoi homologut shqiptar mbështetjen e Romës, përsa i përket heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe BE-së, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat brenda muajit tetor të këtij viti. “Mendoj se ne mund t’i garantojmë Shqipërisë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur dhe mendoj se brenda tetorit të këtij viti do t’i garantojmë Shqipërisë edhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ky udhëtim i Shqipërisë është një udhëtim që bëhet bashkë me vendet e tjera”, tha Berluskoni. Ndërsa kreu i Qeverisë së Tiranës, pasi falënderoi kryeministrin italian për mbështetjen në këtë drejtim, premtoi mbajtjen në fuqi të moratoriumit të skafeve derisa të jetë në pushtet kjo Qeveri. “Ne vendosëm moratoriumin kundër skafeve dhe i thashë z. Berluskoni se gjatë gjithë kohës që unë do të jem në Qeveri, ky Moratorium do të jetë në fuqi. Unë nuk dua që shqiptarët të vdesin në Otranto dhe nuk dua që të ketë fluks emigrantësh në Itali. Ky Moratorium ka dhënë rezultate shumë të mira. Edhe ligji i Antimafies është i standardeve më të mira. Kemi një bashkëpunim model sa i përket luftës kundër kriminalitetit dhe trafiqeve”, u shpreh Berisha.Fini: Në Itali, 22 mijësipërmarrës shqiptarëPresidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini, tha dje gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha se në vendin e tij operojnë 22 mijë sipërmarrës shqiptarë. “Gjithashtu, z. Fini theksoi se një urë shumë e rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve janë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, të cilët përbëjnë një komunitet shumë të rëndësishëm, janë rreth 22 mijë sipërmarrës shqiptarë të cilët operojnë me sukses në Itali dhe me mijëra studentë. Ata janë ambasadorët më të mirë të vendit të tyre, theksoi z. Fini”, thuhet në njoftimin për shtyp të Qeverisë. Nga ana e tij, kryeministri Berisha u shpreh se Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë të ndjekë politikën e tolerancës zero në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje vendimin e Qeverisë për rinovimin e moratoriumit për skafet, miratimin e ligjit antimafia. Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, të mbrojtjes së rendit dhe në fushën e gjyqësorit, është në një nivel shumë të lartë dhe si i tillë duhet të shërbejë si shembull për bashkëpunimin midis vendeve të tjera”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.“Pranojmë vetëm vajza të bukura ilegale nga Shqipëria”Kryeministri italian, Silvio Berluskoni është vënë sërish në qendër të polemikave mbrëmë, pasi ka deklaruar se Italia do të pranonte vetëm emigrante që ishin “vajza të bukura nga Shqipëria”. Politikani 73-vjeçar i bëri deklaratat gjatë takimit me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, duke e lënë të ftuarin e tij mjaft dukshëm të sikletosur nga shakaja. Të dy ata që sapo kishin zhvilluar bisedime mbi numrin e shqiptarëve të lejuar në Itali, po flisnin në një konferencë për shtyp në Romë, kur Berluskoni tha: “Ne do të pranojmë vetëm vajza të bukura nga Shqipëria”. 73- vjeçari, i cili është në mes të betejës së divorcit me Veronika Larion, 53-vjeç, ka bërë më tej shaka me fotografët: “Ju e dini që unë jam beqar tani”. Deputetja e opozitës, Paola Pellegrini, e ka quajtur deklaratën e Berluskonit “humor kazerme”, pasi “Edhe në një tragjedi si emigrimi nga njerëz të dëshpëruar, në këtë rast nga Shqipëria, ai përsërit obsesionin për femrat që i ul në gradën e mishit të freskët për t’u konsumuar”.