Kriza politike Berisha: “Jam njeri i lëshimeve, do gjejmë zgjidhje”
Autori i Lajmit: Suela TopiKryeministri Sali Berisha mirëpret tryezën e sotme të thirrur nga presidenti Bamir Topi, madje, ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë dhe lëshime për të arritur kompromisin. Deklarata e tij u bë në Itali pas një takimi të zhvilluar me Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni. Kreu i Qeverisë italiane i ka bërë ndërkohë thirrje opozitës që të hyjë në Kuvend. Sipas tij, Parlamenti është vendi ku opozita duhet të shpalosë kërkesat e saj për parregullsi në zgjedhje. Më tej gjatë diskutimit mes dy kryeministrave është biseduar dhe për vizat si dhe për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian. Berluskoni premtoi se do të mbështesë Shqipërinë në këto procese.
Berisha
Kreu i Qeverisë shqiptare ka falënderuar homologun italian për ndihmën e dhënë Shqipërisë gjatë përmbytjeve të janarit. Më tej ai ka vlerësuar dhe ndihmën e Italisë për emigrantët shqiptarë, investimet në fushën e turizmit, por dhe Korridorin 8. Ndërsa shtoi se ka marrë garancinë e plotë të Italisë për mbështetjen në rrugën e integrimit. Për sa i përket situatës politike ai tha se i premtoi Berluskonit më të mirën e mundshme. “Unë do të punoj më durim. Unë e sigurova mikun tim, Berluskonin, se do të bëj gjithçka që është e mundur për të arritur në një zgjidhje, pavarësisht faktit që ky qëndrim është i tillë. Unë do të bëj më të mirën e mundshme. Unë jam njeri i kompromiseve dhe i lëshimeve. Kjo është edhe logjika e politikës, në mënyrë që ti japim fund kësaj situate. Ne ndamë të njëjtin mendim dhe ai ishte plotësisht dakord me konceptin tim për këtë situatë”, - tha ai.
Berluskoni
“Mendoj se ne mund ti garantojmë Shqipërisë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur dhe mendoj se brenda tetorit të këtij viti do ti garantojmë Shqipërisë edhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, - tha dje Berluskoni. Sipas tij, shumë shpejt mund ti gjendet zgjidhja përfundimtare çështjes së integrimit të Ballkanit në Evropë. Më tej, ai ka vlerësuar bashkëpunimi Shqipëri-Itali si dhe projektet e përbashkët, për të cilat diskutoi me Berishën si në fushën e energjisë po ashtu dhe të turizmit. Më tej Berluskoni pohoi se diskutoi me kreun e qeverisë shqiptare dhe për situatën politike. “Unë e pyeta mikun tim Sali. Sinqerisht, dua të them se unë kam pasur rastin të flas në Parlamentin shqiptar dhe ishte një moment i kontrasteve, ishte opozita, ishte socialdemokracia. Pra, në një vend demokratik, në demokraci, duhet që gjithçka të jetë e pjekur dhe nuk duhet të bojkotohet Parlamenti, nuk duhet të bojkotohen punimet e Parlamentit. Opozita duhet të punojë brenda këtyre institucioneve, brenda Parlamentit. Unë ia bëj këtë ftesë edhe opozitës shqiptare. Ia thashë edhe mikut tim Sali, duke pasur parasysh edhe përvojën time, se unë jam një demokrat liberal. Ai më ftoi që unë të vij të flas në Parlamentin shqiptar dhe unë jam i gatshëm që të vij dhe të flas. Pra, duhet të synojmë respektin e palëve me njëra – tjetrën. Edhe demokracia duhet të jetë aktive. Duhet të ketë dialog midis dy palëve, sepse përndryshe nuk legjitimohen. Këto ishin temat që u diskutuan nga biseda që patëm bashkë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010