Torturoi deri në vdekje fierakun, nga Holanda me pranga
Autori i Lajmit: RedaksiaInterpol Tirana ekstradon nga Holanda të kërkuarin Fredi Aliaj, i dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e një fieraku, ngjarje e ndodhur në Durrës në vitin 2004.
Viktima Robert Mitro ishte rrahur me mjete të forta, leva hekuri dhe sëpatë. Ai kishte në këmbë, edhe tre plagë nga plumbat e një pistolete. Goditja e fundit i ka ardhur nga një sëpatë e vogël në kokë, që kishte qenë vdekjeprurëse. Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana konfirmoi se u krye ekstradimi nga kryeqyteti i Holandës, Amsterdam, drejt vendit tonë i të riut fierak 30-vjeçar Fredi Ali Aliaj.
Ekstradimi
Burime zyrtare nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë konfirmojnë se me vendimin nr 50, datë 01.11.2007, e ka dënuar shtetasin Fredi Aliaj me 20 vjet burg për vrasje. Në datat 26 janar 2004 dhe 27 janar 2004, shtetasit Fredi Aliaj, Sokol Aliaj, Ismet Boriçi etj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë në qytetin e Durrësit duke rrahur me mjete të forta dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore shtetasin Robert Mitro, i cili ka qenë banor i qytetit të Fierit. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas Fredi Aliaj i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Krimi në vitin 2004
Gjithçka ka ndodhur natën e 26, duke gdhirë 27 janar 2004. Robert Mitro u ekzekutua me levë në apartamentin e tij në Plazhin e Durrësit dhe më pas u mbyll në bagazhin e një makine, ku u gjet në mëngjes nga disa kalimtarë. Më datë 27 janar 2004, ora 05.45, Lorena Mitre ka denoncuar se në mbrëmje, dy shtetas i kanë rrëmbyer bashkëshortin Robert Mitro. Po atë ditë, ora 08.30, në lagjen nr.13 Plazh, afër urës së “Dajlanit” në breg të detit, në bagazhin e mjetit të braktisur “Benz” FR7351B është gjetur i vrarë me mjete të forta shtetasi Robert Mitre, banues në lagjen “Apollonia” Fier. Nga veprimet e kryera rezultoi se Roberti është vrarë në katin e pestë të një banese 8 katesh në këtë lagje. Lidhur me këtë ngjarje me 28.01.2004, ora 08.00, u arrestua shtetasi Arben Xhelal Goga, 40 vjeç, lindur e banues ne Fier, me arsim të lartë, pronar i një magazine duralumini. Pas krimit, ishin shpallur në kërkim edhe pesë të tjerë, mes tyre Ismet Boriçi, i dyshuar si autor material i krimit. Të shpallurit në kërkim janë Ismet Boriçi, Alfred Aliaj, Sokol Aliaj, Bexhet Hoxha, dhe Platon Pepa. “Strumbullari” i krimit duket se është Bexhet Hoxha, babai i vajzës me të cilën viktima kishte marrëdhënie. Robert Mitro, 37 vjeç, lindur e banues në lagjen “16 Prilli” të Fierit punonte si elektricist dhe hidraulik. Ndonëse marrëdhëniet e viktimës me Ismet Boriçin, i cili dyshohet si autori i krimit, ende nuk janë zbardhur plotësisht, vrasja është kryer në një apartament që i përket Boriçit. Autorët e krimit kanë përdorur vajzën si karrem për të futur në kthetra viktimën Mitro, duke i thënë merre në celular. Viktima pa ditur se çfarë po luhej, ka shkuar si gjithmonë tek mikesha e tij, por atje është përballur me vrasësit e tij.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010