E Shtunë, 31 Tetor 2026

AND-ja, kusht për ribashkimin familjar në Itali



Për të shmangur abuzimet që mund të bëhen në dokumentacionin për ribashkimin familjar në Itali, do të duhet të kryhen analizat e AND-së për vërtetimin e lidhjes së gjakut. Për këtë arsye, Komisioni i Çështjeve Kushtetuese të Dhomës së Deputetëve në Itali, ka nisur të diskutojë çështjen e ribashkimit familjar, ku parashikohet se mund të përdoret marrja e ADN-së në rastet kur mungon, apo nuk njihet dokumentacioni që provon lidhjet familjare. Drejtoria e Migrimit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka vënë në dijeni për këtë nismë të autoriteteve Italiane. Sipas kësaj drejtorie, marrja e ADN-së duhet të kryhet me shpenzimet e të interesuarve. Njëkohësisht, ky do të jetë kusht i pakapërcyeshëm për të marrë autorizimin për ribashkim familjar, në mungesë të dokumentacionit të duhur. Në shtetin Italian, aktualisht jetojnë dhe punojnë rreth 474 mijë emigrantë shqiptar. Shqipëria renditet një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrimit në Europë dhe studiuesit theksojnë se jashtë vendit ndodhen rreth 1 milionë shtetas shqiptarë. Kështu, fluksi migrator i shqiptarëve arrin në rreth 25-30 për qind e popullsisë së vendit ose 35-37 për qind të popullsisë në moshë pune.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›