Ndiqet penalisht, i shiti një shtetasi makinën e vjedhur në Gjermani
DURRËS - Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme Durrës filluan procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të Bedri Sulaj, vitlindja 1977, lindur e banues në Tiranë, me arsim 8 klasë, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë. Procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se dy ditë më parë shtetasit V.L., banues ne lagjen Nr. 17 Durrës iu bllokua e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një automjet tip BMV X – 3, fuoristradë me targa TR 8972 K, i cili rezultoi të ishte në pronësi të shtetasit Bedri Sulaj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky automjet është vjedhur në Gjermani dy vjet më parë. Materialet për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Armët e gjetura në Tiranë i përkasin të dënuarit për vrasje
TIRANË - Një ditë pas bllokimit të dy armëve kundërtank të fshehura në një banesë në Tiranë, policia ka bërë të mundur zbulimin e poseduesit të tyre. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, bënë të ditur të mërkurën se grupi hetimor ka arritur në përfundimin se dy armët luftarake i përkasin shtetasit Taulant Elezi, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në burg, pasi është dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasje. Sipas burimeve zyrtare, materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi, iu referuan prokurorisë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Dy armët kundërtank u zbuluan të martën të groposura në oborrin e banesës përdhese të shtetasit Taulant Elezi në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë.
26 Qershor 2008