Ministria e Punës, marrëveshje me Italinë për punësimin e emigrantëve
Ministria e Punës pritet të nënshkruajë së shpejti një marrëveshje të re punësimi për shtetasit shqiptarë me Ministrinë e Solidaritetit Social në Itali. Sipas Ministrisë së Punës, kjo marrëveshje, do të krijojë hapësira të reja për instalimin e emigrantëve të rinj shqiptarë në tregun italian të punës dhe formimin profesional të tyre në Shqipëri, me burime financiare të qeverisë dhe rajoneve italiane. Aktualisht, Shqipëria është një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrimit në Europë dhe studiuesit theksojnë se jashtë vendit ndodhen rreth 1 milionë shtetas shqiptarë. Kështu, fluksi migrator i shqiptarëve arrin në rreth 25-30 për qind e popullsisë së vendit ose 35-37 për qind të popullsisë në moshë pune. Ministria e Punës bën të ditur se duke u nisur nga ky kontekst, politikat migratore të qeverisë shqiptare, nuk synojnë nxitjen e emigrimit të popullsisë, por përdorimin e tij si një faktor dhe burim për nxitjen e zhvillimit të vendit. Kjo ministri vlerëson se marrëveshja e re e punësimit që do të nënshkruhet së shpejti me Italinë, do të mundësojë punësimin e rregullt për shtetasit shqiptarë. Ndërkohë kanë filluar negociatat për fillimin e zgjidhjes së problemit të njohjes dhe transferimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore të emigrantëve me Greqinë dhe Italinë. Gjatë dy viteve të fundit po vihet re një tendencë kthimi e emigrantëve në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, e cila evidenton se ka një nxitje të kthimit vullnetar.
26 Qershor 2008