E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu në Vlorë: “Ligj i ri për administratën gjyqësore”



VLORË - Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ishte sot në Gjykatën e Vlorës, ku prezantoi kryetarin e rimandatuar të kësaj gjykate, Artur Malaj. Në fjalën e tij, Spahiu theksoi, mes të tjerash, se po përgatitet dhe së shpejti do të ketë një ligj të ri për administratën gjyqësore. Sipas Spahiut, administrata gjyqësore po shkon drejt një vizioni dhe koncepti të ri, në përputhje me standardet bashkëkohore. Në vazhdim të fjalës së tij, ai tha se Gjykata e Vlorës konsiderohet prioritare për KLD-në, e cila është e interesuar për ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe për promovimin e atyre që vlerësohen pozitivisht, për gjykime me nivel.

Zbulohen falsifikime të dokumenteve në dosjet e pensionistëve mashtrues

TIRANË - Hetimet mbi çështjen e abuzimit me pensionet e pleqërisë kanë nxjerrë në pah falsifikimin e një sërë dokumentesh zyrtare, në disa nga dosjet e personave të dyshuar për mashtrim me pensionet e pleqërisë. Burime pranë kësaj prokurorie, bënë të ditur të mërkurën për gazetën se ekspertizat e bëra në Laboratorin Qendror Kriminalistik, kanë provuar falsifikimin e materialeve shkresore në disa nga dosjet e personave të dyshuar për përfitim pensioni në mënyrë të paligjshme. Rezultatet e ekspertizave mësohet se kanë mbërritur ditët e fundit në prokurorinë e Tiranës dhe mbi bazën e tyre pritet të ngrihen edhe akuzat përkatëse për personat përgjegjës. Sipas burimeve të mësipërme, hetimet mbi këto çështje po vijojnë edhe me marrjen e deklarimeve të personave ndaj të cilëve po kryhen hetime. Gjatë vitit 2008 në prokurorinë e Tiranës, janë referuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore me dhjetëra çështje në ngarkim të individëve që mendohet se kanë përfituar pension pleqërie duke falsifikuar dokumentet zyrtare dhe mashtruar me vjetërsinë në punë.

Aksidentohet në punë, humbet jetën shqiptari

ITALI - Një emigrant shqiptar ka humbur jetën në Itali, pasi është aksidentuar në kantierin e punës. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane sipas të cilave viktima është shtetasi Tomorr Xeka, 34 vjeç. Sipas burimeve, atij i ra vinçi në kokë teksa po punonte, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burimet shtojnë më tej se 34-vjeçari Xeka lë pas gruan dhe dy fëmijët dhe se për vdekjen e tij është hapur një hetim.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›