Maturantët që nuk mund ta plotësojnë Formularin A2
Jonida Tashi
Të gjithë ata maturantë që rezultojnë mbetës qoftë dhe në njërin prej provimeve me detyrim nuk kanë të drejtë ta plotësojnë formularin A2. Rezultatet e djeshme për provimin e Letërsisë iu mohuan të drejtën për vazhdimin e studimeve të larta 2586 maturantëve. Kësaj liste nuk dihet ende se sa do t’i shtohen në momentin kur do të dalin rezultatet për provimin e matematikës. Mirëpo, maturantët mbetës në provimet e detyruara kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë që zhvillohet në vjeshtë. Gjithashtu, maturantët, të cilët nuk do të mundin të marrin qoftë edhe një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk kanë të drejtë t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Këta kandidatë duhet t’i nënshtrohen riprovimit për lëndët e detyruara në sesionin e dytë që zhvillohet në vjeshtë. Nëse në këtë sesion ata i marrin provimet e detyruara, ata kanë të drejtë të futen në provimet me zgjedhje në vitin e ardhshëm. Ndërsa kandidatët që kanë marrë vlerësimin kalues në të dyja provimet e detyruara dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta, duhet t’u nënshtrohen edhe provimeve me zgjedhje. Ndërsa nxënësit që në vitet shkollorë 2005-2006 dhe 2006-2007 kanë marrë notë kaluese vetëm në njërin nga provimet e detyruara, e ruajnë këtë notë edhe në vitin shkollor 2007-2008 dhe nuk e japin sërish këtë lëndë në provimet e detyruara të Maturës Shtetërore 2008.
Vjeshta
Çdo Drejtori Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrë Arsimore(ZA) duhet të paraqesë në AVA deri në datën 30 gusht listën e nxënësve maturantë që do të marrin pjesë në provimet e detyruara në sesionin e dytë, duke specifikuar për secilin lëndën (lëndët) që do të japë provim sipas formularit A1. Lista dorëzohet me shkresë zyrtare dhe në formë elektronike. Bashkë me këtë listë dorëzohet në AVA edhe lista e mjediseve ku do të zhvillohen provimet. Ndërsa hartimi i testeve përfundimtare për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë bëhet nga persona të përcaktuar me urdhër të brendshëm të drejtorit të AVA-s. Në AVA bëhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.
Shpërndarja e dokumentacionit të përgatitur nga AVA për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë bëhet sipas grafikut të hartuar nga ky institucion.
Dokumentacioni
Dokumentacioni i provimeve tërhiqet pranë AVA-s një ditë para datës së zhvillimit të provimit nga përfaqësues të autorizuar prej drejtorit të DAR dhe ruhet në ambiente të sigurta. DAR tërheqin edhe dokumentacionin e ZA që kanë në vartësi. Provimet zhvillohen në mënyrë të përqendruar në mjedise, të përcaktuar nga DAR/ZA duke zbatuar të njëjtat rregulla dhe procedura sipas “Rregullores së zhvillimit të Maturës Shtetërore”. Dorëzimi i dokumentacionit të provimit të bëhet menjëherë pas përfundimit të provimit, njëlloj me skemën e tërheqjes.
Matematika, rezultatet e provimit në datën 2 korrik
Rezultatet e provimit të Matematikës pritet të dalin në datën 2 korrik. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, shpallja e rezultateve të çdo provimi bëhet jo më shumë se 15 ditë pas dhënies së tij. Provimi i dytë i detyruar i Maturës, Matematika u zhvillua në datën 17 qershor në të gjithë vendin. Pas njohjes së këtyre rezultateve maturantët duhet të nisin plotësimin e formularit A2, i cili është shpërndarë nëpër të gjitha shkollat e mesme të vendit. Maturantët do të kenë afat për të plotësuar, formularin A2 deri në datën 9 korrik, një ditë para provimeve me zgjedhje. Përqindja e pikëve të marra nga provimi i Letërsisë, Matematikës si dhe nota mesatare kanë jo pak peshë për tu shpallur fitues për në universitet. Përkatësisht këto dy lëndë kanë secila nga 20 për qind të peshës totale të pikëve që të kualifikojnë fitues për në shkollë të lartë. Bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore, vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga kandidati për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo kandidat. Po ashtu, çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme, e dhënë nga maturantët në provime për çdo kërkesë, do të vlerësohet me pikë sipas skemës së vlerësimit. Sipas Rregullores së Maturës, maturantët do të vlerësohen me zero pikë nëse do të japin përgjigje të gabuar ose nuk japin asnjë përgjigje.
26 Qershor 2008