E Diel, 1 Nëntor 2026

ANKONA/ Presidenti Fedeli: “ Rrudhon do ta shes në Serinë A”

Presidenti i Ankones: "Jam duke bërë të gjithë përpjekjet për të bindur një klub të Serisë A të blejë "il nostro baby Rrudho" dhe ta lejojë të piqet tek ne, në Ankona".
Skuadra italiane e Serisë C1/B, Ankona ku aktivizohet edhe futbollisti shqiptar Xhulian Rrudho pësoi një humbje (0-1) në transfertë me Xhulianovën e vendit të fundit, e konsideruar si "e pafalshme" nga presidenti Fedeli, dhe në diskutim është edhe trajneri i Ankonës, Monako. Presidenti Fedeli ka folur edhe për të ardhmen e talentit shqitar, Xhulian Rrudho, i grumbulluar së fundi edhe nga trajneri Baric, në zborin që po zhvillohet këto ditë në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën e njohur "Corriere Adriatico", të publikuar edhe në sitin e saj të internetit, Fedeli midis të tjerash, shprehet: "Jam duke bërë të gjithë përpjekjet për të bindur një klub të Serisë A të blejë "il nostro baby Rrudho" dhe ta lejojë të piqet tek ne, në Ankona. Por është e qartë, që ne duhet t'i japim atij mundësi të luajë më shumë". Ankona ndodhet në vendin e 15 në Serinë C1/B me 15 pikë, duke patur vetëm tri ekipe pas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›