Të gjitha rrugët janë të hapura
Me gjithë reshjet e borës, e cila ka përfshirë territorin e Kosovës gjatë ditës së hënë, të gjitha rrugët e Kosovës janë të kalueshme, duke përfshirë edhe pikat kufitare.
Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu tha për Kosovapress se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë pengesë, që mund të vështirësonte qarkullimin në komunikacion dhe se nuk është regjistruar asnjë problem, apo aksident.
Sadriu theksoi se ka rrugë, të cilat janë të lagështa e që e vështirësojnë qarkullimin rrugor, mirëpo deri në këto momente të gjitha rrugët janë të hapura.
“Sipas informatave që ne kemi pranuar nga të gjitha drejtoritë rajonale, është e vërtetë se në disa rrugë ka sasi të vogël të borës dhe ka rrugë të cilat janë të lagështa, që e vështirësojnë qarkullimin rrugor, mirëpo deri në këto momente të gjitha rrugët janë të hapura për komunikacion dhe nuk është regjistruar ndonjë problem, apo aksident si rezultat i kësaj gjendej”, ka thënë Sadriu.
Policia e Kosovës, apelon tek ngasësit e automjeteve të shtojnë kujdesin dhe të mos dalin në rrugë pa pajisje dimërore.
“Ne apelojmë tek të gjithë vozitësit, të cilët vozitin këtë periudhë dimërore, ne veç kemi hyrë në sezonin dimëror, që të pajisën me pajisje dimërore, të cilat janë më se të domosdoshme për një vozitje të sigurt gjatë zezonës së dimrit”, ka thënë ai.