AP: Do jem një mandat, sbëhem palë me politikën

Igli Totozani - Sinan Tafaj
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka zhvilluar një takim me Këshillin Kombëtar të Personave me aftësi të kufizuara. AP ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e shoqatave për pritjen duke i siguruar se një nga qëllimet e punës së tij është bashkëpunim për objektiva të përbashkëta. Pjesë e ndihmës dhe e bashkëpunimit është dhe marrëveshja që Avokati i Popullit ka dërguar për çdo shoqatë dhe organizatë të Shoqërisë Civile, për të krijuar një rrjet kombëtar. Marrëveshja të mos ngelet në letër, por të zbatohet duke shkëmbyer informacione, duke bërë rekomandime ligjore, lobim të përbashkët dhe mbrojtje të përbashkët.
Avokati i Popullit edhe një herë ka theksuar se ai do të jetë në detyre vetëm një mandat, nuk do të kërkojë një mandat të dytë dhe për këtë arsye nuk do të bëhet pale e politikës, por do të jetë aleat dhe në krah të shoqërisë civile dhe shoqatave të personave me aftësi të kufizuara.
Nga ana e tij, z.Tafaj ka falenderuar Avokatin e Popullit për pjesëmarrjen në këtë takim të hapur dhe miqësor. Në fjalën e tij, ai ka njohur z.Totozani me krijimin e Këshillit Kombëtar, strukturën e funksionimit të tij dhe problemet me të cilat përballet sot ky Këshill.
Ndër problemet kryesore të kësaj klase të shoqërisë, Sinan Tafaj, Kryetar i Shoqatës së të verbërve përmendi: Pamundësinë për të mos u përfaqësuar dhe përjashtimi nga shoqëria; Lënien jashtë vëmendjes nga qeveria dhe Ndryshimet në ligjin Për Statusin e të Verbërit dhe Për Statusin e Invalidit Para dhe Tetraplegjik. /F.S/